
Komisioni hetimor parlamentar “Për kontrollin e veprimtarisë së organeve të administratës publike dhe pushtetit vendos, për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 25 prillit 2021” nuk u zhvillua ditën e sotme, ashtu siç ishte planifikuar.
Kjo për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm.
Sipas kryetarit të këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj, mazhoranca ka bojkotuar për Zgjedhjet e 25 prillit me arsyetimin se sot ishte java e gjelbër e Kuvendit dhe kishin vendosur që ta bënin pushim.
Ajo do të zhvillohet më datën 22 tetor 2021, ora 10:00. Për mazhorancën data e kësaj mbledhjeje u mor nga Alibeaj pa u konsultuar me ta.
“PS kërkoi kohë për t’u përgatitur, konsultuar për mbledhjen e sotme, me qëllim njohjen e rregullores dhe amendamenteve. Në bazë të ligjit mbledhjet thirren nga kryetari i komisionit. Duke vazhduar në vazhdën pozitive të mbledhjes së parë, në konsultim me Toni Gugun i kam komunikuar për mbledhjen e sotme, që do të ishte në datën 20 tetor, ora 15:00. Datë e cila u ra dakord herën e parë, e kërkuar dhe nga ata. Në sallën e byrosë u paraqitën anëtarët e opozitës. U ndodhëm para një befasie të pakëndshme, bojkot nga anëtarët e maxhorancës. Nuk kishte asnjë arsye. Arsyeja ishte; “meqenëse jemi në javën e gjelbër të Kuvendit, sot po e marrim pushim dhe të caktojmë një datë tjetër”. Ne jemi këtu si detyrim i vendimit të Kuvendit për t’u mbledhur në një afat 3 mujor. Afati i këtij komisioni është 3 mujor. Sot është dita e 6 dhe nesër e 7, dhe duket fare qartë që mungesa e arsyes, justifikimeve, duket se është strategji e qartë për të penguar veprimtarinë e hetimit të masakrës zgjedhore të 25 prillit.”, tha ai.
Nga ana tjetër Kuvendi në një deklaratë për media e ka cilësuar mos zhvillimin e saj për shkak të mungesës së kuorumit.



