Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, konfirmoi se takimi në Doha mes ndërmjetësve për një armëpushim në Rripin e Gazës do të vazhdojë dhe do të rifillojë sot. Lajmi është bërë i ditur nga Agjencia e Lajmeve të Katarit
Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, ka paralajmëruar se situata në Lindjen e Mesme rrezikon të dalë jashtë kontrollit.
Lammy dhe ministri i Jashtëm francez Stephane Sejourne do të udhëtojnë sot në rajon.
Dje, në Bejrut, Sejourne nisi një apel të ri për një armëpushim në luftën e Gazës.
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar gjithashtu një të dërguar special, Amos Hochstein, në rajon dhe drejtori i CIA-s William Burns është i pranishëm në Doha në bisedimet e ndërmjetësuara nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara për një armëpushim të mundshëm midis Izraelit dhe Hamasit.
Si Hamasi ashtu edhe Izraeli pranuan në parim planin e shpallur nga presidenti amerikan Joe Biden më 31 maj. Sipas raportimeve në media, grupi palestinez hodhi poshtë disa nga propozimet e Izraelit, duke përfshirë një prani ushtarake përgjatë kufirit me Egjiptin dhe një vijë demarkacioni në Gaza, ku palestinezët që ktheheshin në shtëpitë e tyre do të kontrolloheshin për të përjashtuar praninë e milicëve.
Zëdhënësi i Hamasit Osama Hamdan tha për Associated Press se grupi është i interesuar vetëm të diskutojë zbatimin e propozimit të Biden.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mohoi se Tel Avivi kishte bërë kërkesa të reja, por gjithashtu ngriti dyshime për kohëzgjatjen e armëpushimit, duke përsëritur nevojën për të arritur një fitore totale ndaj Hamasit përveç lirimit të pengjeve.
Nga forcat izraelite (IDF) kanë mbërritur urdhra të rinj për dëbimin e palestinezëve në veri të Khan Yunis dhe në lindje të Deir al-Balah.



