Avokati Romeo Kara ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe protestat që janë zhvilluar përpara Kuvendit, duke i cilësuar ato si një shenjë të një “revolte të domosdoshme” për transparencë dhe ndryshim institucional.
Sipas tij, vendi ndodhet në një moment kritik ku, siç shprehet, “jemi në rrugë të mbarë që të zbardhet realiteti ku fillon padrejtësia dhe ku mbaron ajo”, duke e lidhur situatën edhe me atë që ai e quan problematikë të thellë në sistemin e drejtësisë.
Ai theksoi se protestat, përfshirë edhe ato përpara Kuvendit, kanë treguar një nivel të lartë qytetarie, teksa shtoi se Kuvendi duhet të ndërhyjë urgjentisht në reformimin e sistemit zgjedhor.
Besoj se jemi në rrugë të mbarë për të zbardhur realitetin: ku fillon padrejtësia dhe ku mbaron ajo, veçanërisht pjesa ku përfshihet skandali me gjyqësorin. Kemi vuajtur për transparencë dhe u desh një revoltë për ta kërkuar atë. Kemi pasur protestën para Parlamentit dhe atë tjetër super evropiane, me gra, fëmijë dhe të rinj, ku niveli ka qenë shumë i lartë.
Ata e kanë gjetur objektin te Parlamenti, sepse kemi parë që përfaqësuesit e popullit kanë devijuar nga roli i tyre, por në fakt nuk janë të tillë, pasi populli është detyruar të zgjedhë nga një listë e vendosur me emra të përzgjedhur nga kryetari i partisë. Pra, shprehja ‘nuk na përfaqësoni’ vlen për të gjithë.
Ky Parlament duhet të mblidhet dhe të vendosë që, minimalisht, deri këtu shkon kjo situatë. Duhet të ndryshohet Kodi Zgjedhor, sepse është bërë nga dy persona dhe i shërben vetëm atyre dy personave. Në këtë kuptim, ata njerëz në Parlament deri tani nuk e kanë bërë detyrën e tyre dhe realiteti është ky.
Ky Parlament, për mua, ka edhe dy momente turpi: ndaj organeve të drejtësisë, ku është krijuar një komision duke mos lejuar ndarjen e pushtetit nga drejtësia e pavarur. Ka ardhur momenti që Parlamenti ta bëjë këtë. Ata kërkojnë në Parlament përfaqësues të popullit, prandaj jam plotësisht dakord me kauzën e protestuesve.
Duke folur për çështjen e referuar si “The Albanian Files” dhe trajtimin e saj në SPAK, Romeo Kara u shpreh se problemi nuk është vetëm juridik, por lidhet me mënyrën si është konceptuar zhvillimi i vendit.
Ai ngriti shqetësime për modelin ekonomik dhe social, duke theksuar ndikimin e investimeve dhe turizmit në jetën e qytetarëve. Sipas tij, zhvillimi i sektorit të ndërtimit dhe turizmit elitar ka ndikuar në rritjen e kostos së jetesës dhe në emigrimin e shqiptarëve.
Ka një vizion se si e mendojnë Shqipërinë në pamjen estetike. Nëse do të kishim një Shqipëri të tillë, ajo do të ishte e njerëzve të zakonshëm.
Ne kemi parë se turizmi elitar dhe shitja e apartamenteve te të pasurit po e shtrenjtojnë jetesën dhe, deri tani, një pjesë e turizmit në Shqipëri është kthyer në një ‘mollë të ndaluar’. Nga ana juridike, si janë kontraktuar këto firma? A është krijuar edhe një lob i madh arkitektësh? Mënyra si është konceptuar tregon se ata e konsiderojnë veten pjesë të pushtetit.
A jemi për ta imponuar këtë me çdo kosto? Gjatë kësaj kohe, ndërsa kemi disa resorte, shqiptarët kanë ikur. Bëj pyetje për ata që e kanë këtë vizion: a duan një Shqipëri për shtresat me para, ndërsa shqiptarët ikin për bukën e gojës jashtë dhe në vend të tyre vijnë punëtorë të huaj? Kjo nuk ka logjikë, sepse kjo i ka shtyrë shqiptarët të largohen.
Arroganca e një grushti njerëzish ka rrëzuar tani gjithë klimën e politikës së jashtme dhe ne nuk jemi të lumtur. Në një studio e kam thënë: ka raste kur njëra palë “mban erë servilizmi ndaj liderit të vet”, sepse kanë hyrë në parlament duke u treguar tepër servilë.
Nuk mund të bëhet politikë në Shqipëri duke u bërë servil. Një pjesë të mirë të Parlamentit nuk do ta pranoja as për këshilltarë të nivelit të ulët. Servilizmi në politikë është i papranueshëm.
“Albania Files” çfarë procedure juridike është ndjekur? Shqiptarët deri tani kanë qenë të nënshtruar nga presioni dhe votën e kanë bërë të kushtëzuar. Shqiptarët kanë votuar për vend pune, për bukën e gojës; nuk kanë qenë të lirë. Në fund, ata kanë ikur, dhe këto dy forca që kanë humbur çdo etikë kanë marrë rreth 40% të votave të shqiptarëve.
Tani që u ngrit një popull, është shumë mirë që ndodhi, sepse turpi nuk hahet me bukë. Pa iu marrë pasuria atyre dhe pa ia kthyer Shqipërisë, nuk mund të bëhet Shqipëria.



