Gjykatat në vend janë pa drejtuesit e tyre të zgjedhur, ndërsa prej 2018 ato funksionojnë me zëvendëskryetar. Edhe pse ka një ligj në fuqi që detyron KLGJ-në të hapë garën, kjo gjë ende s’ka ndodhur. “FactCheck” sjell një kronologji të vendimeve që mbajnë bosh postin e drejtuesve të gjykatave.
Prej 5 vitesh gjykatat në vend janë pa Kryetar, drejtues kjo për shkak të një vendimi të Këshillit të Lartë Gjyqësor që mban pezull çeljen e garës për postin e kryetarit.
“FactCheck” ka verifikuar vendimmarrjen e vitit 2018, ku siç dhe shihni në këtë vendim nr. 7 të datës 21 dhjetor në pikën 1 dhe 2 të tij thuhet:
“Mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve të gjykatës zgjedh zëvendëskryetarin, ndërmjet gjyqtarëve që ushtrojnë detyrën në atë gjykatë, për një mandat tre vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme”.
“Mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve thirret dhe kryesohet nga kryetari i gjykatës dhe në mungesë të tij thirret dhe kryesohet nga gjyqtari me përvojën profesionale më të gjatë në atë gjykatë”.
E teksa ky vendim do duhet të ishte në fuqi përkohësisht tashmë rezulton se është kthyer në një rregull që askush s’guxon ta prek edhe pse bie ndesh me ligjin 96/2016 një nga ligjet e reformës në drejtësi për “PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”.
E pikërisht ky ligj i cili është në hierarkinë juridike mbi vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor në nenin 52 pika 1 të tij thotë:
“Mandati i Kryetarit të gjykatave dhe prokurorive të tjera, me përjashtim të Prokurorit të Përgjithshëm, është tre vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Mandati i kryetarit të Prokurorisë së Posaçme është tre vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje”.
Referuar të njëjtit nen në pikën 5 të tij dhe 7 janë edhe veprimet që do duhet të bëjë këshilli i lartë gjyqësorë në mungesë të titullarit, drejtuesit kryetarit të gjykatës.
“Këshilli merr vendim jo më vonë se tre muaj nga mbarimi i mandatit të kryetarit”.
“Thirrja për aplikim u drejtohet magjistratëve në gjykatën ose prokurorinë përkatëse. Në rast se në gjykatën ose prokurorinë përkatëse, një pozicion bëhet në mënyrë të përhershme i lirë nga dy muaj përpara mbarimit të mandatit të kryetarit deri në tre muaj pas mbarimit të tij, thirrja për kandidim i drejtohet çdo magjistrati që plotëson kriteret për kryetar.
Aktualisht me hyrjen në fuqi të fazës së dytë të hartës së re gjyqësore Republika e Shqipërisë ka 13 gjykata të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, ka 1 apel të përgjithshëm, 2 gjykata administrative, 1 apel administrative, një gjykatë të lartë dhe gjykata kushtetuese.
E vetmja gjykatë e cila drejtohet me kryetar por që është jashtë kompetencave të këshillit të lartë gjyqësore është gjykata kushtetuese me drejtuese gjyqtaren znj.Holta Zaçe.
Gjykata e Lartë drejtohet me zv.Kryetarin Sokol Sadushi i cili në muajin korrik të këtij vitit mbaron mandatin e parë tre vjeçar si zëvendës, apeli i juridiksionit të përgjithshëm gjykata e vetme dhe më e rëndësishme në vend drejtohet nga gjyqtare zonja Valdete Hoxha.
13 Gjykatat e Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm drejtohen nga zëvendëskryetarë mes tyre edhe gjykata e Tiranës e cila pas largimit të ish kryetarit Petrit Çomo drejtohet nga zëvendëskryetari Flamur Kapllani prej shkurtit 2022.
Pa kryetar është edhe gjykata e cila është simboli i reformës në drejtësi ajo kundër krimit e korrupsionit e njohur si gjykata e posaçme apo GJKKO e cila aktualisht drejtohet nga zëvendëskryetarja gjyqtarja zonja Irena Gjoka.
Ndryshe nga Këshilli i Lartë Gjyqësorë që nuk çel garën, partneri i tyre Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka përzgjedhur të dytin emër në krye të Prokurorisë së Posaçme njohur si SPAK dhe pas mandatit tre vjeçar të Arben Krajës në postin e drejtuesit është emëruar Altin Dumani.



