
Vajza e presidentit të Kamerunit ka shpërndarë një fotografi në të cilin shihet duke puthur një vajzë tjetër, duke shkaktuar reagime të ndryshme në një vend ku marrëdhëniet mes të njëjtit seks janë të ndaluara me ligj.
Postimi në Instagram tregon 26-vjeçaren Brenda Biya duke puthur modelen braziliane Layyons Valenca.
“Unë jam e çmendur për ty dhe dua që bota ta dijë”, shkroi Biya, duke shtuar një emoji zemre.
Babai i saj 91-vjeçar, Paul Biya, u bë president i Kamerunit në vitin 1982 dhe është një nga udhëheqësit më jetëgjatë të Afrikës.
Ata që përfshihen në akte ose marrëdhënie mes të njëjtit seks në kombin e Afrikës Qendrore përballen me dënim deri në pesë vjet burg.

Biya, një muzikante që quhet King Nasty, nuk e deklaroi qartë seksualitetin e saj kur postoi fotografinë e puthjes.
Megjithatë, disa kohë pasi u publikua pamja, Biya ndau një artikull nga Le Monde, në të cilin gazeta franceze raportonte se ajo kishte dalë hapur me orientimin e saj seksual.
Ajo ndau edhe mesazhe të tjera nga njerëzit duke shprehur mbështetjen e tyre për të.
Aktivistja transgjinore kamerunase Shakiro ishte ndër ato që e lavdëruan Biya, duke thënë se postimi i saj në Instagram mund të ishte një pikë kthese për komunitetin LGBTQ+ në Kamerun.
Shakiro tha se Biya po e pozicionon veten si një zë për ndryshime sociale në një vend ku tabutë janë të rrënjosura thellë.



