Moderatorja e emisioneve sportive Hygerta Sako tha “Bilardo në MCN” se Kombëtarja i ka mundësitë të kalojë grupin në Europian dhe madje të shkojë edhe më tej.
Sipas Sakos sot futbolli nuk ka më diferenca të mëdha.
Grupi në Europian nuk është ndonjë çudi e madhe për të kaluar se të mos harrojmë që Europiani është me 24 skuadra. Do të futen dy të parat në çdo grup dhe katër të tretat më të mirat. Ne mund të arrijmë dhe të parët dhe të dytët e grupit, se nuk i dihet.
Nuk po them që Shqipëria do të shkojë dhe do të fitojë Europianin. Sot janë 11 lojtarë kundër 11 lojtarëve. Po të shohim Moldavia bëri një kualifikuese të mirë dhe ishte kokë më kokë me Çekinë ndeshjen e fundit, që po të fitonte kalonte Moldavia. Nuk ka më skuadra të vogla dhe të mëdha. Po shohim që Italia mezi e siguroi kualifikimin, Hollanda nuk është mirë. Polonia ngeli jashtë fare, është vendi 31-të i FIFA-s. Sot futbolli nuk ka më diferenca të mëdha. Edhe tek klubet, është çështja që të bësh një ndeshje të zgjuar, të përshtatesh me kundërshtarët, po nuk do i jap unë mend Silvinjos. Kemi mundësi të kalojmë grupin, por edhe më lart.
Për Sakon, kënga që duhet të vihet e para në stadium pas himnit kombëtar është “Xhamadani vija vija” duke shtuar se edhe pse kënga “Mora fjalë” është shumë e bukur nuk është një këngë që na bashkon të gjithëve.
Patjetër që “Mora fjalë” është një këngë shumë e bukur dhe na përket të gjithë shqiptarëve. Më kërcet që është për një figurë legjendare, historike siç është Adem Jashari që patjetër i përket të gjithë shqiptarëve, por që është i identifikuar si heroi në luftën e Kosovës. Po të shohësh tekstin e këngës, nuk është një këngë që na bashkon ne të gjithëve.
Unë e këndoj me gjithë shpirt, atë këngë kur jam në stadium se është shumë e bukur. Mendoj se “Xhamadani vija vija” është një himn perfekt. Është dhe kënga "Kuq e zi". Personalisht “Xhamadani vija vija" mendoj se është himni që duhet të këndohet i pari në stadium, pas himnit sigurisht dhe pastaj këngët e tjera të reja që janë krijuar.



