
Gjykatat kanë dështuar në mbylljen e konflikteve duke lënë hapësirë për gjakmarrjen. Në studion e MCN TV, Gjin Marku, kryetar i Komitetit të Pajtimit të Gjaqeve, tha se pasi rastet e konflikteve kanë shkuar në gjykatë, janë regjistruar 4200 të vrarë.
Konfliktet e zgjidhura në gjykata i kanë lënë palët të pakënaqura. Kemi 4200 të vrarë pas procedimit gjyqësor. Pra gjykatat i kanë çuar palët drejt vrasjes. Ndërsa në rastet e zgjidhjes me pleqësi/pajtim asnjëherë nuk ka pasur më konflikt. Dosjet në gjykata flenë, konflikti vazhdon.
Marku tha se gjatë dy muajve të verës numri i vrasjeve është rreth 60, çka do të thotë konflikt i hapur që lë vend për gjakmarrje të re.
Mund të themi se ka një fenomen që përsëritet nga viti në vit. Me ardhjen e emigrantëve intensifikohet numri i vrasjeve dhe dinamika e tyre. Për mungesë të drejtësisë, njerëzit i drejtohen vetëgjyqësisë. Me ngjarjet e korrikut dhe gushtit, numri po shkon drejt 60 viktimave. Është e pamundur që një pjesë e madhe e këtyre të mos jenë problematike për një gjakmarrje të re.
Sipas Markut, Kanuni është keqinterpretuar dhe këtë e tregojnë karakteristikat e vrasjeve që janë kryer në emër të gjakmarrjes.
Gjakmarrja nuk bëhet në këtë mënyrë barbare siç bëhet në ditët e sotme. Shpeshherë gjakmarrja është drejtuar mbi njerëz të shoqëruar me familje, është bërë me hedhjen ne erë të familjes, në një kohë kur Kanuni nuk i parashikon këto.
Këto janë pasoja të një degjenerimi mendor dhe të mentalitetit për gjakmarrje. Janë 273 140 në 30 vite që kanë fituar të drejtën e azilit për shkak të gjakmarrjes. Këta që janë detyruar të largohen kanë bërë mirë në aspektin e rehabilitimit të jetës së tyre, por nuk kanë pasur mundësi ta mbyllin konfliktin.



