
Administratori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku në studion e lajmeve në ‘MCN Economy’ deklaroi se projekti i TAP, e ka kthyer Shqipërinë në një vend strategjik.
Ai theksoi se ajo që duhet të kishim përfituar plus është furnizimi i vendit tonë me gaz me çmim të lirë, ku vendi ynë duhet të kishte siguruar furnizimin me gaz nga projekti, por sipas tij Shqipëria nuk ka linja të furnizimit me gaz.
Mund të them që fakti që TAP përfshin Shqipërinë mendoj se ka përfitime që e tejkalojnë vetëm përfitimin çmimit fundor të gazit. Shqipëria me TAP është kthyer në një vend strategjik tashmë kemi mundësitë për të bërë gjeopolik, e ka rritur rëndësinë specifike të vendit. Natyrisht mund të kemi përfitime të tjera, siguria lidhet shumë dhe me rëndësinë, por përfitimet janë shumë të mëdha. Ajo që duhet të kishim përfituar plus është furnizimi i vendit tonë me gaz me çmim të lirë. Këtu fillon pastaj momenti i dobësisë të bërjes së shtetit brenda vendit. Në 20 vite ishte mundësia që në disa qytete ku kalon afër TAP të ishte bërë shpërndarja. Dhe ajo më e rënda që nuk është bërë është të kishim linjën nga pika e daljes në Seman në termocentralin e Vlorës që ai të furnizohej me TAP. Ajo që bëmë ne ishte që vumë në dispozicion gjeopolitikën, por ajo që duhet të bënim për të fituar edhe ekonomikisht nga gazi drejtpërdrejt nuk e bëmë. Të paktën të kishim nisur nga ato linja ku TAP kalon.
Ndërsa sa i përket gazifikimit, Buxhuku deklaroi se ajo që duhet të kuptojmë është që në këto 20 vite ne duhet të ishim konsumator nga gazi që kalon në vendin tonë të cilin ne nuk e prekim. Ai shtoi se kompanitë e karburanteve janë faktor ndikues në ecurinë e procesit.
Prania e gazit të lirë dhe të sigurtë nga TAP në fakt ka dhe një problem biznesor brenda dhe kjo vjen nga kapja që mund të jetë e shtetit apo grupe që merren me karburantet në Shqipëri që nuk janë të kënaqur me TAP që do e ulte shumë çmimin në Shqipëri. Pra kjo mund të jetë një tjetër problem pse Shqipëria sot nuk përfiton nga gazi që kalon brenda shtëpisë sonë dhe përfitojnë të tjerët. Ky është një mëkat i madh që ka brenda mungesë historie, paaftësie.
I pyetur pse nafta e nxjerrë në vendin tonë nuk shkon për industri, Buxhuku deklaroi se leverdia e prodhimit të energjisë elektrike nga gazi është jashtëzakonisht e madhe. Ai u shpreh se nga ky projekt kemi shfrytëzuar vetëm gjeopolitikën për kalimin e TAP, por nuk kemi bërë asgjë për shfrytëzimin.
Leverdia e prodhimit të energjisë elektrike nga gazi është jashtëzakonisht e madhe edhe si kosto, por edhe me ndikim pozitiv në mjedis, ajo hyn te fosilet, por e dëmton shumë më pak mjedisin krahasuar me të tjerat. Nëqoftëse do shohim ekonominë si një të tërë ekonomia shqiptare ehte jo konkurruese krahasuar me botën dhe prandaj nuk zhvillohet sepse janë kostot e larta të energjisë. Kjo do i jepte vendit mundësi të ulte kostot konkurruese me vendet e tjera dhe kështu do zhvillohej ekonomia. Ne kemi shfrytëzuar gjeopolitikën për kalimin e TAP, por nuk kemi bërë asgjë për shfrytëzimin. Për përfitimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe industrial. Këto janë politikat e munguara të cilat është mëkat sepse janë 20 vite të humbura, shoh që deri tani ka vetëm fjalë dhe asnjë veprim apo ide të qarta se si do veprohet.



