
Gjykata e Lartë iraniane ka anuluar dënimin me vdekje që iu komunikua prillin e kaluar reperit Toomaj Salehi i akuzuar se kishte mbështetur me këngët e tij protestat kundër qeverisë së Teheranit, të cilat shpërthyen pas vdekjes së Mahsa Aminit.
Avokati i tij Amir Raesian e njoftoi lajmin në X duke shkruar “Anulohet dënimi me vdekje i Salehit”.
Gjykata e Lartë urdhëroi një gjyq të ri kundër reperit, i cili ishte dënuar nga një gjykatë revolucionare me akuzën e “korrupsionit në tokë” sipas Sheriatit.
Artisti 33-vjeçar, u arrestua fillimisht në tetor 2022 pasi shprehu mbështetjen e tij për protestat që shpërthyen në Iran muajin e kaluar, pas vdekjes së vajzës 22-vjeçare pasi u arrestua me akuzën e mosmbajtjes së saktë të mbulesës islame.

Reperi njihet për faktin se ka denoncuar shpesh, me këngët e tij, padrejtësitë sociale dhe politike në Republikën Islamike.
Aktivistët akuzuan regjimin iranian për torturimin gjatë arrestimit të tij pasi media shtetërore publikoi një video e cila tregonte reperin të fashuar dhe të mavijosur duke kërkuar falje për mbështetjen e tij për protestat.
Ai u lirua me kusht në nëntor 2023, por u arrestua përsëri disa ditë më vonë për postimin e një videoje ku akuzonte autoritetet se e kishin nënshtruar atë në torturë gjatë kohës që ishte i ndaluar.



