
Siguria e të dhënave nënkupton mbrojtjen e të dhënave dixhitale, të tilla si ato që ruhen në një bazë të dhënash, nga kërcënimet shkatërruese dhe veprimet e paautorizuara të përdoruesve, siç janë sulmet kibernetike ose shkeljet e të dhënave.

Por, cilat janë kategoritë më të ndjeshme të informacionit që një shtet duhet të mbrojë dhe sa është i aftë ta bëjë këtë?
Ekspertët e IT-së, Arbër Ormëni e Miklovan Beqiraj dhe specialistja e të dhënave personale, Ridvana Kasemi, të ftuar në emisionin “MCN Informacion”, theksuan se, pavarësisht mungesës së kulturës për të punuar me rregulla dhe standarde të qarta për ruajtjen e të dhënave, është e nevojshme që institucionet të ndërgjegjësohen dhe të sigurojnë mbrojtjen më të mirë të informacionit.
Arbër Ormëni:
Një shtet duhet të garantojë mbrojtjen e të gjitha bazave të të dhënave që disponon, duke përfshirë informacionin e individëve, të dhënat biometrike, kartelat shëndetësore, informacionin lidhur me sigurimet shëndetësore dhe çdo sistem tjetër të përpunimit të të dhënave. Përveç kësaj, shteti duhet të ruajë dhe të mbrojë të gjitha sistemet e tij, të cilat përpunojnë dhe menaxhojnë informacionin e ndjeshëm.Në krahasim me shtetet e rajonit, Shqipëria është më e dobët, pasi ka pasur vazhdimisht shkelje të sigurisë dhe rrjedhje të informacionit. Kjo ndodh për shkak të mungesës së një kulture të duhur të menaxhimit të të dhënave dhe të pakujdesisë nga ana e individëve. Për shembull, informacioni shpesh është ekspozuar për shkak të hapjes së e-maileve me viruse, siç ndodhi me rrogat dhe numrat e telefonit dy vjet më parë, si dhe me informacionet e kartave të identitetit. Shteti shqiptar ka investuar shumë për mbrojtjen e të dhënave, por ende ka shumë për të bërë në këtë drejtim.
Miklovan Beqiraj:
Sulmet kibernetike janë një kërcënim i vazhdueshëm, pasi hakerat janë gjithmonë aktivë dhe kërkojnë pika të dobëta në sistemet e sigurisë. Sulmet ndodhin kudo, jo vetëm në Shqipëri, por çështja kryesore është se çfarë ndodh pas një sulmi. Institucionet duhet të ndërgjegjësohen dhe të marrin masa për të përmirësuar sigurinë dhe për të parandaluar sulmet e ardhshme.
Ridvana Kasemi:
Në teori, gjithçka është në rregull dhe protokollet janë të sakta për të reaguar ndaj një sulmi kibernetik. Por problemi lind në praktikë, kur sulmi ndodh realisht. Sa janë të gatshme institucionet dhe sa shpejt veprojnë për të kapur dhe parandalur sulmin? Sigurisht, shteti mundohet të mbyllë këto çështje duke deklaruar se janë në shqyrtim dhe janë marrë masat e duhura, por askush nuk di me siguri se sa e fortë është siguria e të dhënave për qytetarët deri në momentin kur ndodh një tjetër sulm.Në rastet e rrjedhjes së të dhënave, përgjegjësia është gjithmonë e institucioneve që kanë autorizimin për të menaxhuar dhe ruajtur informacionin.



