Një studim i Institutit Kinsey ka zbuluar mënyrën se si jeta seksuale e njerëzve ka ndryshuar falë teknologjisë. Takimet online dhe kërkimi i kënaqësisë nëpërmjet aplikacioneve si Tinder, Grindr dhe Thrinder e kanë transformuar jetën e përditshme të njeriut të shekullit të ri.
Gjithnjë e më shumë njerëz po i përdorin aplikacionet që shkarkojnë në smarfonët e tyre për të krijuar marrëdhënie të reja. “Clue”, një aplikacion që monitoron ciklin menstrual dhe jep këshilla për shëndetin, ka kryer një studim me 140 mijë përdorues të tij në 198 vende të botës.
30 % e këtyre përdoruesve në shkallë botërore thonë se kanë përdorur një aplikacion për të gjetur një partner për seks. Ndërsa aplikacionet e takimeve shpesh konsiderohen si mjet që çon drejt shthurjes morale, studimi zbuloi se më shumë njerëz i përdorin ato për të krijuar marrëdhënie afatgjata apo afatshkurtra (15%) sesa për të organizuar takime thjesht për një natë (10%).
Amanda Gesselman, një studiuese në Institutin Kinsey, shpjegon gjetjet e studimit: Përdorimi i aplikacioneve për të gjetur partner afatgjatë apo afatshkurtër, por jo thjesht njerëz me të cilët mund të kesh marrëdhënie seksuale pa ndonjë angazhim tjetër, mund të jetë tregues i njëfarë besimi te teknologjia për të gjetur përkushtimin apo spontanitetin, por jo takime të rregullta thjesht për seks dhe pa asnjë lidhje romantike.
Gjatë vëzhgimit, studiuesit konstatuan se përdorimi i aplikacioneve për seks shpesh kishte në bazë vetë dëshirën për të mësuar më shumë për seksin.
23 % e meshkujve ishin të gatshëm të përdornin një aplikacion në funksion të përmirësimit të jetës së tyre seksuale, ndërsa te femrat kjo shifër ishte e ulët.
Studiuesja Gesselman thotë se kjo shifër e ulët te femrat mund të shpjegohet me faktin se ato shpesh flasin rreth teknikave seksuale në grupe shoqërore, por meshkujt e kanë më të vështirë. Normat e kulturës mashkullore e bëjnë më të vështirë diskutimin për këto tema me shokët.
Një gjetje tjetër interesante e këtij studimi është edhe harta e krijuar sipas përqindjes së përvojave seksuale jashtë marrëdhënies së qëndrueshme që kanë gratë (marrëdhënie afatgjatë, bashkëjetesë ose martesë).
Të anketuarit u pyetën: Çfarë lloj marrëdhënieje seksuale keni pasur në të shkuarën? Rezultatet treguan përqindjen sipas vendeve të grave që u përgjigjën “jashtë marrëdhënies së qëndrueshme”.
Në fund të listës me përqindjen më të ulët (vëzhgimi përfshiu 49 vende të botës) qëndron Kina. Vetëm 18.8 % e grave kineze kanë bërë seks me dikë që nuk është partneri i tyre i qëndrueshëm.
Përqindjen më të madhe e ka Suedia - 66.5 %, e ndjekur nga Danimarka - 66 %, Irlanda - 60 per cent dhe Norvegjia – 59 %. Në sHBA, kjo përqindje qëndron në 57.7 %. / The Independent / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



