
Papa Françesku do të jetë Papa i parë, pas më shumë se një shekulli, që nuk do të prehet në Vatikan, por në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë.
Ceremonia mortore pritet të mbledhë më shumë se 200,000 besimtarë dhe përfaqësues nga 170 delegacione ndërkombëtare, përfshirë liderë botërorë si Presidenti amerikan Donald Trump dhe përfaqësues të lartë nga Bashkimi Evropian.

Në lidhje me pjesëmarrjen shqiptare, zëdhënësi i Kishës Katolike në Shqipëri, Dom Mark Pashkja, deklaroi për “MCN Live” se Shqipëria do të përfaqësohet në nivelet më të larta kishtare dhe ndërfetare në këtë ceremoni historike.
Shqipëria do të jetë e përfaqësuar në dy nivele në ceremoninë ku priten të jetë gati 200 mijë persona, ku 170 delegacione nga e mbarë bota. Aty spikat prania e presidentit amerikan Trump, dhe e një sërë delegacioneve të BE-së.
Nga ana kishtare, do të marrin pjesë Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit, Shkëlqesia e Tij Imzot Arjan Dodaj, si dhe Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Giovani Peragine.
Ata do të jenë pjesë e ritualit të varrimit që është rast tradicional tipik për varrimin e një Pape dhe këtyre do tu bashkëngjitet edhe prania e krerëve të komuniteteve fetare.
Dom Pashka bëri të ditur se pjesë e delegacionit shqiptar do të jenë edhe figura të rëndësishme të komuniteteve të tjera fetare në vend.
Kemi marrë konfirmim që do të jenë të pranishëm figura të larta fetare si Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, përfaqësues të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, përfaqësues të Vëllazërisë Ungjillore dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj
Papa Françesku kishte aftësinë e jashtëzakonshme për të bashkuar komunitetet fetare nga mbarë bota. Ceremonia e tij e varrimit është një simbol i unitetit dhe respektit të ndërsjellë midis besimeve të ndryshme.
Të gjitha përfaqësitë do të marrin pjesë në varësi të sektorëve përkatës, një pjesë si përfaqësues shtetërorë dhe një pjesë si përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare, në një nga ceremonitë më të rëndësishme të kohëve moderne për botën katolike dhe përtej saj.



