Avokati Redon Meksi në një lidhje për edicionin e lajmeve në Mcn Tv nga Himara tha se në këtë zonë ka plazhe publike, por kryesisht preferohen nga të huajit, ndërkohë që shqiptarët zgjedhin shezlongë me pagesë.
Meksi vuri në dukje një fenomen, ku banorë të apartamenteve të zonës vendosin tenda me kashtë apo lidhin çadra, duke e konsideruar pjesën e plazhit si pronë të tyre.
“Potami është mirë. Himara gjithmonë ka qenë dhe do jetë mirë, ke mundësi të gjesh edhe çmime të mira, edhe plazh publik, të ofron shumë lloj mundësish. Njerëz ka, plazhet janë plot. Te plazhi publik ku jam unë në Potam kishte më pak se vjet. Plazh publik realisht ka, nuk janë në vendet më të mira zakonisht. Kanë disa hotele që kanë plazh privat, por pjesa më e madhe është publik.
Gjiret e vogla rreth e qark Himarës janë pothuajse të zëna nga investitorët strategjikë, që i kanë kthyer në privatë puro. Të huajit janë gjithmonë në plazhet publike, ne shqiptarët shkojmë në plazhe me shezlonge nga 10 në 50 mijë lekë të vjetra dhe pastaj dalim ankohemi në rrjetet sociale. Plazhi publik është ngjitur me atë dhe nuk ke asnjë njeri.
Himara të ofron edhe shezlonge me pagesë, restorante luksi, edhe të lira të përballueshme, bregdet falas, plazh publik. Ka një problem që është fenomen që ndodh në Shqipëri, në plazhet publike, banorët e zonës që kanë blerë apartamentet e para, kanë filluar të vendosin tip tendash me kashtë, dhe e quajnë meqë jemi banorë është pjesa jonë e plazhit publik, dhe mund të konfliktohesh me ta po të rrish atje. Ka çadra që lidhen me beton buzë detit, kjo s’duhet të ndodhë në plazh publike. Kjo duhet të ishte lirim i hapësirës publike. Në Potam uji është gjithmonë i mirë. Në një gji poshtë meje, derdhen kanalizimet e Himarës, mund ta shohësh me sy, janë bërë tendera pafund dhe s’është arritur cilësia e duhur”.



