Në 100-vjetorin e Bibliotekës Kombëtare, në mjediset e kryeministrisë u hap një ekspozitë të librave të rrallë, të cilët dalin për herë të parë në sytë e publikut. Kryeministri Rama tha se pandemia është bërë shkak që ky përvjetori i rëndësishëm të mos festohet siç e meriton.
“Koha e keqe në të cilën ky 100 vjetor ndodh na detyron të jemi shumë kopracë në këtë kremtim në aspektin e hapësirave pjesëmarrjes projektimit të një kalendari ashtu siç do të duhet të ishte. Zgjedhja e bërë me këtë ekspozitë është një dëshmi e rrallë, faktike, e prekshme e një historie të gjatë që kalon shumë shekuj dhe mishërohet në libra, në tekste, objekte që janë ruajtur në thellësitë e organizmit të Bibliotekës Kombëtare”, tha ai.
Lidhur me projektin për bibliotekën e re, Rama tha se ai ka nisur rrugën, por nuk dha një datë se kur do të përfundojë.
“Kemi punuar sistematikisht për ta futur në rrugë projektin që u desh të ndalej nga tërmeti, edhe sot pasi rrënojat e tërmetit duhen kthyer në shtëpi e apartamente. Pastaj i’u mbivendos edhe goditja e rëndë financiare e të gjithëve për shkak të Covid. Megjithatë, projekti e ka nisur rrugën e tij, kam besim se do të shkojë deri në fund, nuk e them dot se kur, por jo aq gjatë sa ka shkuar deri më sot”, tha Rama.



