
Roberto Donadoni ka arritur një marrëveshje me skuadrën kineze të Shenzhen Kaisa që militon në Superligën kineze (CSL). “Akordi është arritur mes Donadonit dhe Shenzhen”, ka thënë një drejtues i klubit kinez. Së shpejti, klubi do të dalë me deklaratë zyrtare.
Ish-trajneri i kombëtares italiane ka mbërritur në Kinë ditën e diel dhe ka asistuar në ndeshjen që Shuanzhu është mundur nga Jiangsu me rezultat 2-0. Donadoni do të pasojë në këtë rol spanjollin Juan Caro, që vitin e kaluar ishte në drejtim të Shenzhen dhe e udhëhoqi nga divizioni i dytë në kategorinë e më të mëdhenjve të futbollit kinez.
Por në këtë sezon, klubi nuk fiton në 12 ndeshje radhazi në kampionat. “Caro është një trajner i mirë, por kishim vërtet nevojë për një fitore dhe ende kemi nevojë”, shpjegon klubi. Duke fituar vetëm 3 ndeshje nga 20 të luajtura deri tani, aktualisht Shenzhen mban vendin e 15 në kampionat.
Tekniku italian nuk stërvit që prej vitit të kaluar, kur u shkarkua nga skuadra e Bolognas në përfundim të sezonit 2017-2018. Donadoni ka udhëhequr të kaltrit në çerekfinale të Europianit 2008 dhe ka stërvitur klube të ndryshme italiane, përveç Bolognas: Napolin,Cagliarin dhe Parmën.



