Drejtoresha e përgjithshme e INSTAT, Elsa Dhuli, për nisjen e censit të popullsisë ditën e sotme thotë se ky është aktivitet statistikor më i madhi që bëhet.
Nga studio e MCN Live, Dhuli deklaroi se pyetjet lidhen me ndërtesën, banesën dhe individin, por se për individin disa pyetje janë të detyrueshme dhe disa opsionale, ku disa lidhen me grupin etnik, fenë dhe gjuhën.
Sipas saj, këto kategori janë opsionale sepse ka dhe të drejtën e mos përgjigjes dhe janë deklarim i lirë i popullatës, duke nënvizuar se kështu ka qenë në censin e 2011 dhe kështu është sërish.
Dhuli shtoi se tek infrastruktura përfshihet ndarja e territorit të Republikës së Shqipërisë në zona censi, që në këtë rast është ndarë në 5240 zona, ku në çdo zonë do të ketë një anketues dhe se është ngritur platforma e mbledhjes së të dhënave në terren.
Pyetësori është i hartuar në formatin elektronik në tabletë, që përmban dhe gjithë parametrat e kontrollit, duke lehtësuar anketimin.
Element tjetër është transmetimi i informacionit nga tableti, në vendin e ruajtjes së informacionit statistikor.
Kjo siguron mbrojtjen e të dhënave personale. Do të ketë një ruajtje të sigurt.
Platforma e monitorimit të punës në terren, kërkojmë një proces sa më cilësor dhe për këtë nuk mjafton vetëm mbledhja e informacionit por dhe ndjekja dhe monitorimi i punës së çdo anketuesi në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Një platformë tjetër është dhe ngritja e problematikave në terren, që mund të kenë të bëjnë me logjistikën, teknologjinë apo burimet njerëzore.
Një nga platformat bazë që u ngrit ishte rekrutimi i stafit, i cili u bë i aksesueshëm në 15 maj në të gjithë territorin e vendit.
E gjithë infrastruktura është në funksionim dhe tani do të shohim se çfarë do të ndodhë gjatë 6 javëve në terren.
Plotësimi i pyetësorit të censit është një detyrim ligjor dhe ky është një nga ato ligje që ka disa penalitete.
Qëllimi është që të mblidhet informacioni dhe në fund të periudhës së mbledhjes në këtë aksion të madh që ndodh 1 herë në 10 vjet, penalitetet vendosen në rastin e mos zbatimit të ligjit.
Qëllimi është që sot dhe për 6 javë t’i hapen dyert anketuesve.
Familjet do të vizitohen nga anketuesit tanë deri në 3 herë, në rast se nuk gjendet njeri në familje, do lihet një shënim tek dera për arsyen e vizitës dhe do të caktohet një ditë dhe një orë tjetër, në rast se nuk gjendet as në vizitën e dytë do i shkohet një ditë të tretë.
Në rast se as atëherë nuk gjendet do të lihet një numër telefoni, ku qytetari mund të kontaktojë dhe të shkojë pranë zyrës së censit, ose anketuesi të shkojë sërish për plotësimin e të dhënave.
Nga sot kanë dalë rreth 5200 regjistrues, por dhe një armatë kontrollorësh të sistemit.
Sot janë mbi 7 mijë veta në terren dhe një numër i konsideruar i stafit të INSTAT që po ndjekin nga afër si po shkon procesi.
Ndër të tjera, Dhuli tha se në fund të plotësimit të pyetësorit, qytetari ka të drejtë që të konfirmojë përgjigjet e dhëna, para se pyetësori të transmetohet në vendin e ruajtjes së informacionit.
Në vijim tha së qëllimi kryesor është të numërohet popullsia rezidente dhe banesat.
Lidhur me koston e këtij procesi, Dhuli deklaroi se shkon 16.9 milionë euro, ku 55% e kësaj kosto është e qeverisë shqiptare, nga Komisioni Europian në masën 28% dhe kontribut të qeverisë suedeze dhe nga OKB.



