
Kryebashkiaku i Bulqizës ka reaguar pas publikimit të videos ku ai shfaqet teksa merr lëndë narkotike në një lokal. Në një reagim në profilin e tij në “Facebook”, Lefter Alla e cilëson videon montazh dhe thotë se do të padisë ish-deputetin e PD-së, Ervin Salianji.
“Dua të informoj opinionin publik të Bulqizës dhe të gjithë Shqipërisë, me të drejtë të shokuar nga një video-montazh i publikuar në bashkëpunim nga Partia Demokratike dhe një televizion lokal, se sot jam nisur drejt Tiranës ku do të depozitoj një padi në ngarkim të shtetasit Ervin Salianji, një person me aktivitet përsëritës kriminal për situata të ngjashme, referuar organeve të drejtësisë shqiptare”, shkruan ai.
Kryebashkiaku i Bulqizës, për të cilin Partia Demokratike ka kërkuar largimin nga detyra, shton se prej një viti është në dijeni të kësaj videoje, për të cilën ai e cilëson montazh.
“Dua të sqaroj gjithashtu se ekzistenca e një video-montazhi më është bërë me dije prej rreth një viti, por gjithmonë kam besuar dhe besoj se duhet të jetë drejtësia ajo që ta hetojë dhe ta zbardhë. Prandaj deklaroj se unë do të pres zbardhjen e çdo vepre penale nga drejtësia. Kushdo që më akuzon mua, të presë veprimet e prokurorisë dhe vendimin përkatës të gjykatës”, shkruan ai.



