Hetimet ndaj kompanisë Bankers e dyshuar për evazion fiskal duket se janë vetëm maja e ajsbergut e abuzimeve dhe skemave të mashtrimit që lidhen me këtë kompani.
E shkuara e Bankers ekspozon lidhje të saj me nënkotraktorë shqiptarë të financuar vazhdimisht me para publike që kujdeseshin për të rritur fiktivisht shpenzimet dhe për të ndihmuar Bankers të krijonte skema evazioni.
Një prej tyre dyshohet se është edhe kompania shqiptare Albastar, në pronësi të Ismailaj grup, kontratën me të cilën Bankers e ka filluar në vitin 2004 dhe e ka zgjatur vazhdimisht me pretendimin se Albstar nuk kishte nevojë të hynte në procedura prokurimi, pasi ishte kompania me më shumë përvojë në këtë fushë.
Argument që u kundërshtua nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore sipas të cilës punimet civile që kryheshin nga Albstar për llogari të Bankeres nuk ishin në operacione specifike të naftës dhe kësisoj duhet të ishte bërë me garë. Ndonëse e përfshirë në një marrëdhënie të tillë me Bankers ku sipas skemës nënkontraktorët raportonin norma të larta fitimi dhe shpenzime të fryra, kompania Albstar e kamufluar si VIBTIS SHPK rezulton që paralelisht të jetë fituese e kontratave publike pikërisht në sektorin e naftës dhe gazit.
Kështu nga 14 kontratat me ndërmarrjet publike që ajo ka lidhur të paktën 6 janë me Albetrol dhe 1 me Albanian Gas Service Company. Njësoj si raporti me Bankeres edhe kjo marrëdhënie e kompanisë së Ismailajt me kompaninë shtetërore të naftës duket problematike.
Kështu një prej tenderave të Albetrol, firmosur nga titullari i saj Eltar Deda që lidhet me furnizimin dhe instalimin e pompave në vendburimin Gorisht, përfshirë dhe punimet përgatitore të puseve dhe ku VIBTIS SHPK e grupit Ismailaj është shpallur fitues në nëntor të vitit 2025 ka qenë pa garë dhe është me Flamur të kuq, çka nënkupton se opsionet e formulimit te kritereve dhe afateve për dorëzimin e dokumenteve kanë qenë në favor të një kompanie te paramenduar klienteliste.
Po ashtu me flamur të kuq rezulton edhe një tender i Albetrol për zëvendësimin e pjesshëm të tubacionit magjistral nga Drenove deri në Usoje ku VIBTIS SHPK e Ismailaj është shpallur fituese në 24 prill 2024. Në rastet e tjera pjesëmarrja e garuesve të tjerë ose ka qenë fiktive ose janë skualifikuar për mungesë dokumentacioni.
Po ashtu VIBTIS SHPK e Ismailajt është fituese e shumë kontratave publike në sektorin e energjisë dhe bashkive ndonëse Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore e ka identifikuar si një ndër kompanitë me raporte të dyshimta me Bankers dhe transaksione në dëm të shtetit shqiptar.



