
Nga data 8 deri më 10 shtator, ambasadorët e Shqipërisë të akredituar në vende të ndryshme të botës do të mblidhen në Tiranë për të marrë pjesë në konferencën vjetore “Diplo2025”.
Konferenca, e cila zhvillohet nën titullin “Shqipëria 2030: Në Evropë, e ndërlidhur me botën”, do të organizohet në formën e paneleve tematike, me pjesëmarrjen e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë.
Diskutimet do të fokusohen në integrimin evropian të Shqipërisë dhe rajonit, diplomacinë ekonomike, si dhe në çështjet e sigurisë rajonale dhe globale. Ky është një takim i rëndësishëm i shërbimit të jashtëm shqiptar, që synon të përcaktojë prioritetet, të adresojë sfidat kryesore dhe të forcojë shërbimin konsullor për qytetarët shqiptarë jashtë vendit.
Konferenca do të hapet me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama dhe ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Dita e parë do të jetë e përqendruar në procesin e negociatave për anëtarësim në BE.
Në këtë sesion do të marrin pjesë edhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka dhe Ministrja për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni. Diskutimet në këtë panel do të zhvillohen me dyer të mbyllura.
Sfidat dhe perspektivat ekonomike do të jenë në qendër të ditës së dytë.
Diskutimet do të hapen nga Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe do të vijojnë me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, si dhe me ministra të tjerë të kabinetit qeveritar.
Dita e fundit e konferencës do t’i kushtohet çështjeve të sigurisë kombëtare dhe kërcënimeve hibride.
Në këtë panel do të marrin pjesë Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe Drejtoresha e SHISH-it, Vlora Hyseni.
Përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë do të kenë detyrën që, bazuar në përfundimet dhe prioritetet e kësaj konference, t’i çojnë përpara interesat strategjike të vendit në vendet ku ushtrojnë mandatin e tyre.
Konferenca “Diplo2025” po zhvillohet në ambientet e Bankës së Shqipërisë (ish-hotel “Dajti”) në Tiranë.



