
Afati i fundit ligjor për dorëzimin e emrave të kandidatëve dhe të këshillave bashkiakë për zgjedhjet lokale të 14 majit ka mbërritur.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve këtë të hënë priten edhe dorëzimi i listës së emrave të Partisë Socialiste dhe koalicionit mes Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Socialistët kanë vendosur të rikandidojnë në këto vendore me 44 kryebashkiaket aktuale dhe 17 emra të rinj që do t’i bashkohen ekipit të Edi Ramës.
E teksa emrat e kandidatëve për kryetarë u miratuan mbrëmjen e të shtunës nga Kryesia, në selinë e partisë po i jepet dora e fundit listës për këshillat bashkiakë.
Ndërsa Sali Berisha, i cili në këto zgjedhje garon me koalicionin “Bashkë Fitojmë” ishte i pari që përmbylli që në fillim të muajit Dhjetor kandidatët për kryetar bashkie përmes procesit të primareve.
Kryesia e PD-së miratoi edhe kandidatët për këshillat bashkiakë, ku nga 1664 anëtarë, Partia e Lirisë do të ketë 240 këshilltarë, Vangjel Dule 20 dhe demokristiani Nard Ndoka me 6 këshilltarë në lista.
E teksa Rama e Berisha tanimë kanë gati emrat, krejt e kundërta ndodh me grupimin “Alibeaj”, i cili do të përfaqësojë zyrtarisht në zgjedhje Partinë Demokratike, pas vendimit të KQZ-së.
Kryesia e grupimit të Partisë Demokratike të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj ka kandiduar Roland Bejkon për Bashkinë e Tiranës. Pritet të caktohen edhe kandidatët për bashkitë e tjera, ku grupimi i Alibeajt do të garojë.
Grupimi i Alibeajt duhet të marrë një vendim sa më shpejt pasi sot është afati i fundit për regjistrimin në Komisionin Qendror të zgjedhjeve të kandidateve për kryebashkiakë dhe këshilltarë.



