Kryediplomati i Bashkimit Evropian Josep Borrell është në përfundim të raportit për situatën në Kosovë dhe mundësinë e heqjes së masave të vendosura ndaj saj. Në qershor të vitit të shkuar, për shkak të dhunës që u ndez kur kryekomunarët shqiptarë hynë nëpër zyrat e komunave në veri, BE-ja vendosi masa ndëshkuese.

Në raportin që do të dalë në ditët në vijim, pritet se cili do të jetë rekomandimi për masat e ndërmarra, nëse do të mbeten, do të hiqen gradualisht apo plotësisht. Sipas zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, çdo veprim që ka ndikuar në përshkallëzimin e tensioneve do të merret parasysh në raport.
Raporti është drejt përfundimit. Masat erdhën si përgjigje ndaj hapave të pakoordinuar dhe unilaterale që çonin në më shumë përshkallëzim ndërsa nuk ndihmonin në uljen e tensioneve. Qëllimi ishte që autoritetet e Kosovës të punonin për çtensionim. Aktualisht, gjithçka ndodh në terren që ka ndikim negativ tek përpjekjet për uljen e tensioneve po merren parasysh dhe do të përfshihen në raport.
Mediat në Kosovë shkruajnë se raporti ka vonuar të dalë për shkak të veprimeve të fundit të qeverisë Kurti që njoftoi mbylljen e gjashtë degëve të filialit serb postar në veri, sepse funksiononin në mënyrë të jashtëligjshme.
Ndërkohë, aleatët e Kosovës kanë reaguar kundër duke thënë se masa të këtilla janë të njëanshme dhe vështirësojnë dialogun. Prishtina ka kërkuar që këto masa politike dhe ekonomike të hiqen, pasi i ka plotësuar kushtet e kërkuara nga Brukseli. Po ashtu, disa vende të BE-së kanë kërkuar që të hiqen masat, pasi Prishtina i ka plotësuar kushtet për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri të vendit që banohen nga një shumicë serbësh.



