Komuna e Suceava, në kufirin verior të Rumanisë, është afërsisht 8500 kilometra katror në madhësi, qarku i dytë më i madh pas Timiq.
Sipas regjistrimit të fundit të Rumanisë, popullsia e zonës është gati sa një e treta e popullsisë së Bukureshtit. Por, shkalla e infeksionit në Suceava është dramatike në krahasim me pjesën tjetër të Rumanisë. Më 10 prill, Suceava regjistroi 1 529 raste të COVID-19, afërsisht 30 përqind të numrit të përgjithshëm në të gjithë vendin. Pas tij vjen Bukureshti me 688 raste.
Zyrtarët gjithashtu thonë se më shumë se gjysma e mjekëve, infermierëve dhe stafit tjetër të infektuar të vendit janë gjithashtu në Suceava.
Zona është renditur si ndër pikat kryesore të infeksionit në vend dhe disa media kombëtare e kanë etiketuar zonën si "Lombardia e Rumanisë".
Qyteti i Suceavas, i cili ka mbi 100 000 banorë dhe tetë komuna përreth u mbyll më 31 mars, me urdhër nga Ministria e Brendshme.
"Për momentin qëndrojmë në shtëpi, vetëm një anëtar i familjes del për të bërë pazar me maskë dhe doreza. Mund të largohemi nga shtëpia vetëm nëse kemi një deklaratë dhe dokumente për të vërtetuar se ku po shkojmë, nëse nuk i kemi, gjobitemi", thotë Radu Baran, një videograf që jeton në Suceava.
Të gjitha fluturimet, lidhjet e trenave dhe rrugët e transportit publik për në Suceava janë pezulluar dhe lëvizja brenda qytetit është gjithashtu e kufizuar. Vetëm transporti i mallrave dhe personave që ndërmarrin veprimtari ekonomike, mbrojtëse dhe publike lejohen aktualisht. Policia dhe forcat e armatosura patrullojnë zonat e karantinuara.
Ministri i Shëndetësisë Nelu Tataru ka thënë se përhapja e gjerë në Suceava ishte shkaktuar nga menaxhimi i dobët dhe njerëzit që nuk respektojnë rregullat e izolimit, por ka këmbëngulur që autoritetet e kanë gjendjen nën kontroll.
Tataru ka vizituar personalisht Suceavan për të vëzhguar situatën dhe pretendon se e gjeti Departamentin e Shëndetit Publik Suceava pa staf.
Baran gjithashtu tha për “Euronews” se disa pacientë mund të kenë gënjyer autoritetet shëndetësore në lidhje me udhëtimin drejt "zonave të kuqe" të koronavirusit.
Kryetari i qarkut Suceava, Ion lungu, ka raportuar në Facebook se stafi në Spitalin e Qarkut në Suceava tani po kryen "më shumë se 250 teste në ditë" me pajisje të reja.
Një mjek ushtarak në Suceava, ka postuar në Facebook duke thënë se kushtet janë të ngjashme me të "luftës" dhe se shpesh rrethohet edhe nga "gati 30 pacientë".



