Në studion e lajmeve të MCN TV, ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, thotë se ka entuziazëm të tepruar në lidhje me ftesën e presidentit Trump për Shqipërinë në Bordin e Paqes. Milo u shpreh se krahas qëndrimit proamerikan, Shqipëria duhet të bëjë kujdes të mos largohet nga politika e Bashkimit Europian.
Është bërë një zhurmë e madhe, komente pa fund në lidhje me ftesën. Duhet ta vendosim në një kuadër të përgjithshëm. Pra, siç është ftuar Shqipëria janë ftuar edhe 60 vende të tjera. Nuk ka ndonjë përzgjedhje të posaçme. Janë 60 vende, mes tyre edhe vende jo demokratike. Është ftuar Rusia, Bjellorusia, Koreja e Veriut, disa vende afrikane apo vende të tjera që dihet se nuk kanë vlera demokratike reale. Ftesat janë për të krijuar një kuorum dhe brenda kësaj amalgame janë pasur në konsideratë të ftohen edhe vende miqësore me SHBA. Duhej që edhe reagimi të ishte më modest. Nuk jemi të vetmit që ftohemi, as kemi marrë ndonjë ftesë për Shtëpinë e Bardhë. Mirë është që jemi ftuar.
Shqipërisë i takon të akomodohet me politikën e Bashkimit Europian. Por të mos tregohet më shumë seç duhet entuziaste sepse krijon distancë që vihet re. Duhet të jemi të kujdesshëm ta afishojmë qëndrimin tonë proamerikan, por edhe të mos largohemi nga qasja europiane.
Milo tha se nisma e Trump në thelb është një përpjekje për të dubluar OKB-në.
Këto njihen si ditët e euforisë. Ka pasur entuziazëm, përfshirë Shqipërinë. Ky projekt-statut ka një mesazh që lexohet shpejt, që drejtohet në thelb kundër OKB. Do që ta dublojë OKB. Është shfaqje e unilateralizmit të Trump. Ai ka devizën e njohur “Amerika e para”. Edhe po të vini re projekt-statutin ka një nen në të cilin thuhet se formohet një komitet ekzekutiv, anëtarët e të cilit i cakton presidenti amerikan i cili do të jetë kryetari i përhershëm. Është ai që vendos për gjithçka. Është një përqendrim absolut i pushtetit që materializon idenë që SHBA duhet të jenë liderë të botës.



