Krijimi i regjistrit të diasporës do të hapë mundësitë që shqiptarët jashtë vendit të mund të ndërveprojnë më efektivisht me qeverinë. Gjatë prezantimit të kësaj nisme, kryeministri Rama tha se për herë të parë, ky regjistër do të bëjë të mundur një bazë të dhënash, që do të pasqyrojë burimet njerëzore në çdo fushë.
“Organizimi i Samitit të Diasporës si institucion përbashkues, ku shqiptarët mund të gjenë kanale të reja komunikimi dhe marrëdhënie e re me disaporën janë pjesë e të njëjtës përpjekje. Këshilli i diasporës do të jetë një organ përfaqësimi që do të sugjerojë dhe ndërmjetësojë mes qeverisë dhe përfaqësive të diasporës. Në këtë strukturë do të punojnë institucionet e konsoliduara në vite. Këtu nis edhe përpjekja për të kuptuar së bashku si mund ta ndërtojmë në mënyrë të përshtatshme agjencinë kombëtare të diasporës, e cila do të jetë një pikë referimi lidhur me politikat kombëtare, por edhe me prurjet që detyrimisht shteti ynë duhet ti mbledhë në procesin e zhvillimit të vendit. Ne besojmë se regjistri i diasporës nuk është thjesht çështje numërimi dhe votimi. Ai i ofron vendit një bazë të dhënash për burimet njerëzore në çdo fushë. Kjo është një mundësi për të shfrytëzuar dijen shqiptare, që gjendet e shpërndarë aty ku janë vendbanimet e shqiptarëve në vende të ndryshme”, tha ai.
Rama tha se ndërveprimi me shqiptarët e diasporës do të bëjë të mundur rritjen einvestimeve në vend.
“Ka një interesim gjithnjë e më të ndjeshëm të diasporës për të investuar në Shqipëri. Një anketim i Universitetit të Harvardit me shqiptarë në SHBA ka zbuluar se ka 1000 shqiptarë që do të investonin në Shqipëri nëse do të kishte një rrugë të sigurt. 100 prej tyre janë të gatshëm të investojnë të paktën 100 mijë dollarë nëse do të kishin sigurinë. Janë pjekur kushtet për të hedhur një hap të ri duke gjetur rrugët që ky lloj investimi të materializohet”, tha ai.



