
Pedagogia Mimoza Hafizi, thotë se rritja e pagave për pedagogët nga qeveria nuk është 15%, por 7%, pasi 8% qeveria ia ka lënë në dorë universiteteve sipas mundësive.
Në një lidhje me studion e lajmeve të MCN TV, Hafizi deklaroi se në vendimin e qeverisë dhe hapave të marrë nga shkëmbimet e sindikatës me Ministrinë e Arsimit, stafi ndihmës akademik, nuk është marrë fare në konsideratë.
Sipas saj, në protestën e sotme pati kërkesë që protesta të vazhdojë me një grevë urie.
Kjo protestë nuk ka lidhje fare me politikën, marr pjesë si pedagoge po me që kam dhe një bagazh në administrimin e arsimit, jam munduar të shpreh mendime pak më profesionale se pedagogë të tjerë që nuk kanë qenë pjesë e administrimit të arsimit.
Isha në protestë me kolegët e departamentit të fizikës. Asnjëri prej tyre nuk është i ushqyer politikisht.
Ky qëndrim që po mban personeli akademik është njëri nga reagimet për gjendjen ku po degradon arsimi i lartë në Shqipëri, pjesë e së cilës është dhe trajtimi i pedagogëve.
Ajo që i mungon më tepër arsimit të lartë, është financimi nga shteti krahasuar me përqindjen e buxhetimit të arsimi në të gjitha vendet e rajonit. Në Shqipëri është më i keqtrajtuari, një nga sferat e financimit publik, jashtë prioriteteve.
Kjo pasqyrohet edhe tek niveli i kërkimit shkencor, tek niveli i mësimdhënies, se pedagogët janë të detyruar të punojnë në universitetet e tjera, ndërsa nxënësit punojnë për të paguar tarifat e tyre, që qeveria propozon që të paguajnë studentët për të rritur pagat e pedagogëve.
Trajtimi financiar i punonjësve, pedagogu dhe stafi ndihmës që është tejet i nënpaguar, krahasuar me vendet e rajonit, ne jemi më pak se Kosova.
Pedagogu është i nënpaguar. Kërkimi shkencor i cili është komponent kryesor, është tepër i munguar, jo ekzistent, por edhe komponentë të mësimdhënies, si laboratorët.
Lidhur me propozimin e Kryeministrit për të mbajtur peng për 3 vite diplomat e studentëve ekselentë dhe atyre të mjekësisë që të mos largohen jashtë vendit, Hafizi e cilësoi si “reagim force”, ndërkohë që pritet një reagim vizioni.
Ne duhet t’i hapim vizionin arsimit të lartë, në mënyrë që njerëzit me dijet e pajisura nga arsimi i lartë të jenë të dobishëm për të prodhuar mirëqenie në vendin e vetë.
Zgjidhjet e forcës nuk janë zgjidhej afatgjata dhe nuk mund të kenë impakt pozitiv. Nuk jam optimiste për realizimin e kërkesave. Këto kërkesa efektet i japin në afatgjatë.
Politikat aktuale janë të fokusuara në interesa afatshkurtra.



