Seanca e sotme në Kuvend ka nisur me replika, ku deputetët e PD-së së Rithemelimit kanë ngritur shqetësimin për mungesën e njoftimit në lidhje me pranimin ose jo të interpelancave të thirrur nga opozita.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së së Rithemelimit Gazment Bardhi ka bllokuar foltoren, duke u bllokuar nga Garda, por më pas është lejuar të flasë.
“Pas një emisioni investigativ rezulton tashmë e provuar që Rama ka tentuar të ushtrojë presion ndaj gazetarëve që kanë kryer investigimin në median shtetërore Rai3. Komisioni mbikëqyrës i Rai-t, e ka konsideruar telefonatën e Ramës ndaj drejtorit të Rai3, si ndërhyrje të papërshtatshme në lirinë e medias. Ndërhyrja me telefonatë ndaj drejtorit të Rai-t, jo vetëm cenon lirinë e medias, por edhe imazhin e Shqipërisë”, tha Bardhi në foltore.
Bardhi kërkoi nga kryeparlamentarja Nikolla që kërkesa për interpelencë me Ramën të përfshihet në rendin e ditës. Pas hedhjes në votim, kërkesa u rrëzua me shumicë votash nga mazhoranca.



