Pr.ligji për Lojërat e Fatit/ Zv.ministrja: Pagesat do bëhen përmes postës dhe bankave. Braçe: Shteti të rrijë përballë ilegalëve (VIDEO)

Pr.ligji për Lojërat e Fatit/ Zv.ministrja: Pagesat do bëhen përmes postës dhe bankave. Braçe: Shteti të rrijë përballë ilegalëve (VIDEO)

U prezantua sot në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave projektligji për Lojërat e Fatit.

Zv. Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Vasilika Vjero theksoi në fjalën e saj se ky projektligji është produkt i një pune të gjatë dhe ka kaluar në një proces të gjatë konsultimi.  

Ajo theksoi se për marrjen e licencës duhet të plotësohen disa kritere të forta, duke shtuar se tarifa do të jetë 400 mln lekë për 10 vjet.

Duke shpjeguar rolin e "agjentit financiar", zv.ministrja shpjegoi se pagesat nuk do të bëhen në dorë, por nëpërmjet Postës së Shqipërisë dhe bankave të nivelit të dytë. 

Ndërkaq, përfaqësuesi i opozitës Leskaj tha se po diskriminohen subjektet vendase, ndërsa deputetja Tabaku kërkoi që të mos bëhet një reklamim në mediat audio-vizive. 

Erion Braçe theksoi që shteti duhet të qëndrojë përballë çdo strukture ilegale që mund të krijohet në këtë aktivitet. 

Prezantimi nga Vasilika Vjero: Është një projekt-ligj për të cilin është folur shumë, është debatuar. Është produkt i një pune të gjatë, intensive, të MF, por jo vetëm, ka kaluar një proces të gjatë konsultimi, janë zhvilluar dy dëgjesa publike me grupet e interesit, federatat sportive, me Komitetin Olimpik Shqiptar, shoqatat e basteve sportive, shoqëria civile, shoqatat që mbrojnë lojtarët, dhe shoqëri të lojërave të fatit që aktualisht zhvillojnë aktivitet në këtë fushë. Grupet e interesit kanë sjellë propozimet, shqetësimet, përmirësimet e mundshme ku pjesa më e madhe kanë gjetur reflektim në këtë projektligj. Pr.ligji propozon rikthimin e basteve sportive por në formën online, duke licensuar subjekte që kanë eksperiencë, dhe së dyti garantimin e të ardhurave nga ky aktivitet, me qëllim mbështetjen direkte të sportit, inovacioninit. Bastet do vendosen në faqen e internetit apo në platforma elektronike të dedikuara. Bastet do luhen përmes pajisjeve elektronike, kompjuterike, por pa u kushtëzuar nga ato. Pr.ligji ka parashikuar kritere të forta për organizatorët. Licencimi do jetë për 10 vite, tarifa do jetë 400 milionë lekë. Licensimi do bëhet me garë, me sistem pikëzimi. Lojtarët do regjistrohen përmes një sistemi kontrolli, ID-ve individuale dhe transaksioneve bankare. Pagesat do kryhen përmes agjentëve financiare, jo me para në dorë. Do jetë Posta Shqiptare, bankat e nivelit të dytë. Organizatori do autorizojë pagesa vetëm përmes agjentëve financiarë. Do kemi dy fonde garancie, i pari për lojtarin dhe institucionet. Komisioni i Lincesimit do jetë një strukturë kolegjiale vendimmarrëse që do funksionojë pranë AMLF-së. Lidhur me numrin e licensave, në projektligj është përcaktuar se numri i licensave për operatorët do jenë 10. Në pr.ligj janë detajuar kriteret e lincesimit. Një nga risitë e projektligjit është krijimi i një fondi të posaçëm. Fondi do përdoret për të mbështetur projekte të sportit, kulturës, inovacionit. Do krijohet edhe këshilli i mbështetjes së projekteve që ngrihet pranë AMLF-së. Parashikohet që publiciteti do jetë i lejuar në mediat elektronike, në faqen online të subjektit, apo në hapësira ku zhvillohen veprimtari sportive. Do lejohet edhe në mediat audio-vizive.

DISKUTIME 

Bujar Leskaj: A mendoni që njëkohësisht ky shënon një dështim të operacionit “Fundi i marrëzisë”? Sot kjo është marrëzia e fundit që po paraqet qeveria?! Mendoj që ne duhet të jemi shumë rigoroz te ky ligj, totalisht të ndalohet publiciteti i lojërave të fatit, me këtë që do bëni do t’i çmendni njerëzit! Pse te neni 11 shton pikën që subjekti aplikues, ose të paktën njëri prej aksionerëve të jetë me përvojë në lojërat e fatit në tre shtete të OECD-së. Edhe këto të ardhura ju i kondiciononi që kompanitë e huaja t’i kalojnë fitimet në vendin mëmë. Përse diskriminoni subjektet vendase?! Përse ata që ushtrojnë biznesin këtu duhet t’i kondicionioni? Apo i keni gjetur partnerët jashtë?!

Jorida Tabaku: Pr.ligji nuk sqaron në asnjë vend sa kazino keni licensuar. Ky ligj prek Lotarinë kombëtare dhe elemente të tjera që s’janë sqaruar. Është e pakonceptueshme që këto lojëra të jenë të reklamuara në mediat elektronike. Që do të thotë kushdo që është në kontakt, pavarësisht moshës, ndodhet përballë rrezikut potencial të basteve sportive Online. Si do ta llogarisni fitimit?! Prekni legjislacionin e bankave dhe të AMF-së. Janë tre ligje paralelisht që preken dhe është rreziku potencial i pastrimit të parave. Rreziku më i madh është që u mbyllën gjithë ato pika dhe e përqendruat në pak duar. Keni prekur edhe çështje që lidhen me mungesën e konkurrencës te subjektet që do aplikojnë, sepse kriteret janë të ngushta që i plotësojnë vetëm kazinotë. Shqetësimi për lojërat e fatit është real, social. Shpresoj që të hiqni dorë të paktën nga reklamimi në mediat elektronike! Rikthimi i basteve dhe fillimi i prezantimit të ligjit me termin "rikthimi basteve" tregon dështimin e reformës. 

Erion Braçe: Unë kam pasur qëndrim krejt tjetër nga ai i mbylljes totale të lojërave të fatit. I referohej modelit francez të organizimit të lojërave të fatit, ku e gjithë loja është monopol shtetëror, paratë e lojtarëve nuk i arkëtojnë kompanitë, por shteti, dhe operatorët marrin fee-në që u takon. Qëndrimi im është po i njëjti që kam mbajtur edhe në seancë parlamentare, dhe që ia jep shtetit këtë aktivitet nuk ia jep kompanive, qofshin të OECD-së, qofshin kompani kombëtare. Nuk kam thënë as që do i vijë ekonomisë para e madhe nga mbyllja e lojërave të fatit... E fundit gjë nuk ka pasur në Shqipëri 4300 kompani të lojërave të fatit dhe kompani që kanë qenë xixë të pastra. Ka pasur kompani të kontrolluara nga banditë. Në territor kanë qenë niptet sekondare të këtyre kompanive, por jo 4300 kompani. Këtij komisioni i lind detyrimi që edhe të kërkojë llogari dhe të japë një zgjidhje që s’i çon prapë te banditët. Nëse do ta bëni kështu si propozohet, të mbetet në duar legale. Edhe ky aktivitet do kthehet në një betejë mes atyre që janë legalë dhe ilegalë. Unë mendoj se duhet të rrijë shteti përballë. Shteti t’u rrijë përballë çdo strukture ilegale që rri poshtë.

Alban Xhelili: Të ardhurat bruto dhe tatimi që do aplikohet te operatorët është më i thjeshtë se ç’mund ta mendoni. E ardhura bruto është diferenca mes shumës së lozur nga lojtari dhe shumës së përfituar. Nëse kanë lozur 200 lekë dhe kanë fituar 190 lekë, e ardhura bruto është 10 lekë, dhe është e tatueshme. Pyetjet që kam, kur është bërë përllogaritja e të ardhurës së parashikuar, rezulton 6,5 miliardë. Përllogaritja është bërë 2 miliardë, pjesëtim për tre dhe shumëzim me 10 (operatorë). Me tre kompani të ardhurat ishin 2 miliardë, tani do shkojnë 6,5. Të ardhurat bruto për një vit janë përllogaritur në masën 6,5 miliardë.  Pyetja është a mendoni se do trefishohen bastexhinjtë? Sepse edhe ata 10 do mbulojnë të njëjtin territor, pra nuk mendoj se do ketë rritje të ardhurash. A është bërë një analizë sa është diferenca midis të ardhurave që do derdhin këto kampani dhe humbjeve? Kanë qenë 6700 të punësuar ku këto kompani derdhnin kontribute shoqërore dhe shëndetësore. Janë kontribute që shkojnë më pak në fonde, dua ta di sa është kjo. Mendoj që personat që lozin lekë nga paga, nga puna, mund të jenë 95 për qind e lojtarëve. Por këta lozin vetëm 5 për qind të vlerës, pasi 95 për qind të vlerës e lozin të paligjshmit. Duke patur parasysh që bastet do jenë online, pagesa jo cash, identifikim personi, regjistrim lojtari, a mendoni që këta që lozin 95 për qind të vlerës do na vijnë dhe do na lozin te kjo e ligjshmja? Unë mendoj që jo. Efekti social do jetë shumë pozitiv, por efekt ekonomik s’besoj se do ketë fare. Kur është përcaktuar që njëri nga ortakët do ketë eksperiencë, por nuk pashë në asnjë pikë sa për qind të kuotave duhet të ketë. Nuk mund të vijë dikush me 1 për qind kuotë dhe të licencohet pavarësisht përcaktimeve të tjera. Mendoj që ortaku kryesor duhet të kishte dominancën, zotërimin në shoqëri. Në të gjitha vendet e BE bastet sportive nuk lozen online, por në pika bastesh ku pranohen edhe cash. Shpresoj të jem i gabuar, por besoj se me bastet online do t’i gjeni tabletat me 1 softuerë të ligjshëm dhe 10 të paligjshëm që s’do t’i kapë dot askush. Ka vend për rishikim.

Edmond Spaho: Ky aktivitet është i lidhur direkt me pastrimin e parave, jo më kot Shqipëria është në listën gri. Kjo tregon edhe shqetësimin e ndërkombëtarëve që kjo të mos hapet. Shteti shqiptar është shtet pa kapacitete. Fakti që pranohet se ky aktivitet ka vazhduar ilegalisht, tregon që s’ka kapacitete. Janë kompanitë e ndërtimit të lidhura ngushtësisht me lojërat e fatit dhe kazinotë. Lahen para nëpër kazino dhe hidhen nëpër kulla.

Pranvera Resulaj: Shkalla tatimore, 15 për qind e të ardhurave bruto nga loja. 1,7 miliardë i kemi humbur kur ligji u shfuqizua. Dua të kuptoj se sa është pritshmëria e të ardhurave? Nëse pretendojmë të marrim me 1,5 apo 2 miliardë çfarë ka ndodhur me shkallën tatimore? Nëse do mbetet e njëjta e ardhur, nuk do ishte më mirë të kishte një shkallë tatimore më të lartë? Mendoj që duhet të ketë një barrë fiskale më të lartë për këto kompani. Ky është një aktivitet që në vet specifikën e tij, duhet të tatohet më tepër.

Erion Braçe: Na nevojitet të gjithëve një listë për kompanitë që zotërojnë sot kazinotë. Në ligjin që kemi bërë, në atë në fuqi, kemi thënë që do licencohen kazino vetëm në hotele me 5 yje brand name dhe rezorte, e kështu me radhë. Do ishte mirë që të kemi një listë për transparencë dhe të mos kemi aludime. Listës t’i bashkëngjitet xhiroja e kazinove, dhe tatimi i paguar prej tyre. Kërkesa tjetër që kam, ishte e paqartë se sa do paguaje kompania që licencohet për bastet online, sa do paguajë lojtari dhe si ndahet sa do marrë shteti e kështu me radhë. Dua të di në 200 lekë sa do jetë masa që përfiton kompania, sa fiton lojtari, sa do jetë tatimi që do paguajë kompania, lojtari, sa do jetë pjesa që do marrë shteti. Që në të jemi të qartë se cili do jetë dëmi dhe përfitimet. E treta, për këto parashikime veçanërisht fiskale nuk na sillni disa modele që aplikohen në vende të BE. Më intereson shumë sa është tavani i bastit që lejohet të vendoset. Do doja që të ishte edhe drejtuesi i AKSH-it këtu, që të marrim ndonjë përgjigje që të jemi të sigurt për atë që do votojmë.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy