
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “pastrim i parave”. Në mesin e të akuzuarve është dhe Klodian Allajbeu, i lidhur me spitalin amerikan në Tiranë.
Eksperti i ekonomisë Pano Soko tha në studion e MCN Economy se Allajbeu ka vendosur monopolin, kartelin në industrinë spitalore. Soko thotë se Allajbeu shkoi të investojë në Kosovë me para të pista, por atje, ndryshe nga sa ndodh në Shqipëri, nuk u tolerua.

Kartelizimi është problemi që ka Shqipëria sot. Ne funksionojmë nëpërmjet karteleve në çdo sektor. Në ekonomi i quajmë monopolizim i ekonomisë, por në fakt janë kartele, 3-4-5 që kanë përbërë atë që quhet karteli i kapjes së ekonomisë. E njëjta gjë funksionon dhe tek “Big Pharma”, tek shëndetësia. Janë 3-4 individë që e kanë kapur sektorin e shëndetësisë. Natyrisht këta kanë marrë të gjithë atributet e plotfuqishmit të cilët as nuk janë prekur, kur vjen puna dhe kanë ruajtur paprekshmërinë e tyre nëpërmjet këtij pozicioni që kanë pasur dhe ky është problemi që ka Shqipëria. Ata paguajnë lekë, kanë lidhje me prokurorë, pushtetin, kanë para për të paguar gjyqtarë, kanë para për të paguar policë. Kapja që vjen nga karteli është e gjithanshme. Është e shtrirë në formë piramidale dhe shtrihet me vektorë poshtë, kudo ku ata kanë interesa. Kap atë institucionin që duhet t’i monitorojë, kap policinë pastaj kap prokurorinë, pastaj atë institucionin që duhet t’i kontrollojë.
Kosova patjetër që është më mirë se ne. Sa shkoi Klod Allajbeu atje e kuptuan kush ishte personi, çfarë investimesh bënte, si ishte, çfarë përmbajtje kishte, çfarë strukture kishte, çfarë stofi investitori ishte.
Jo se ne në Shqipëri nuk e dinim, ke portale pa fund për Klod Allajbeun, kronika pa fund, por nuk vepronin sepse këtu e ka kapur karteli, në Kosovë nuk e ka kapur. Këtu është diferenca mes Shqipërisë dhe Kosovës. Atje nuk ta toleron njeri, kapjen e një sistemi. Patjetër që e parandaluan sepse kapja vjen nga poshtë-lart. Ky do shkojë investon aty me para të pistë, vendos pozicionin e vet në zinxhirin ushqimore të industrisë, ngrihet në zinxhirin ushqimor deri sa del lart dhe pastaj kap të gjithën. Një ndihmë të madhe në këtë proces të jep paraja e pistë, furnizim me kesh. Keshi, paraja është buka e investimit. Sa më shumë para të kesh aq më lart ngjitesh brenda industrisë tënde, deri sa kthehesh në atë që e ka kapur industrinë, ai që ka vendosur monopolin në atë industri . Siç ka bërë dhe në Shqipëri, ai ishte i njëjti person që kapi majat e industrisë spitalore në Shqipëri.
Kishte zaptuar gati 50% të tregut, më tepër se 50%. Erdhi një moment që kapi 90% të tregut. Kjo është mekanika e të gjithë procesit. Ata ia ndërprenë që në fillim, që kur filloi të sillte benzinën, këto paratë. Ata ia prenë.



