Kryeministri Edi Rama në një intervistë për televizionin gjerman “NTV” ka treguar se nuk ishte aspak zhgënjyese fakti se saimiti i BE-Ballkani Perëndimor në Slloveni nuk vendosi një datë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritari.
I pyetur fillimisht sa i takon kthimit nga Samiti i fundit i Brdo-së, Rama theksoi se nuk ndihet më i zhgënjyer, kjo do të ndodhte, sipas tij, kohë më parë, por jo më tani.
Sa i takon situatës në Bashkimin Evropian, kryeministri shqiptar u shpreh se “Evropa nuk është në gjendjen e saj më të mirë”.
Edi Rama, deklaroi se as Gjermania zyrtare dhe as Bashkimi Evropian nuk janë më të njëjtët, pas krizës së refugjatëve.
Referuar largimit të kancelares gjermane, Angela Merkel, kryeministri u shpreh se do t’i mungojë të gjithëve, Gjermanisë, BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Në vijim të fjalës së tij, Rama nënvizoi se “Shqipëria do të vazhdojë të punojë që të jetë në të njëjtat standarde si BE-ja”.
“Në të vërtetë nuk prisja asgjë tjetër. Në të kaluarën do të ishim të zhgënjyer, por kemi mësuar se Evropa nuk është në formën e saj më të mirë dhe ne e kuptojmë këtë, prandaj thjesht vazhdojmë punën tonë. Siç e dini, ne duhet të krijojmë patjetër një Shqipëri që mbajt të njëjtat vlera dhe standarde si Bashkimi Evropian. Dhe jo sepse Berlini, Parisi, Brukseli na detyrojnë, por sepse kjo është ajo që ne duam për fëmijët tanë”, tha Rama.
Gjatë intervistës kryeministri nuk la pa cekur dhe largimin e Angela Merkel duke u shprehur se ajo do ti mungojë Gjermanisë, Evropës dhe sigurisht dhe rajonit tonë.
“Unë mendoj se Angela Merkel do t’i mungojë Gjermanisë, e të gjithë Evropës dhe mendoj se edhe rajonit tonë do t’i mungojë. Ndoshta edhe për shkak të së kaluarës së saj, ajo ka një vizion të Ballkanit. Ajo e di se çfarë do të thotë të dalësh nga diktatura, nga një diktaturë komuniste. Dhe sigurisht ajo ka bërë gjithçka me mundësinë e saj për Evropën, duke hapur derën për refugjatët”, shtoi kryeministri.



