
Gazetari Flogert Muça tha në emisionin “Scrolling” të moderatorit Arian Çani se Argita është zgjedhja ideale për drejtimin e PD-së së Rithemelimit. Sipas gazetarit mbiemri “Berisha” mban ithtarët që e shohin partinë si fe, si dhe njerëzit që i janë në borxh ish-kryeministrit.
Muça tha se Berisha do që të kthehet në martir politik duke qenë në burg, por sipas tij koha kur shqiptarët vriteshin për liderin ka marrë fund.
Ajo që i bashkon Ramën e Berishën është etja për pushtet. Të dy nuk heqin dorë nga pushteti, qoftë brenda partisë, qoftë në makro. Janë të ndarë në një pikë që është njohja e sistemit të ri të drejtësisë. SPAK duhet të vepronte më shpejt në raport me ‘doktorin’, është i vonuar, nuk e di përse ky kompleks. Argita është zgjedhja ideale, është e vetmja zgjidhje. Mbiemri Berisha, Sali Berisha shihet si Zot nga një pjesë e PD. Ata janë besimtarë dhe sigurisht që kisha tjetër ku mund të shkojnë të falen do jetë ajo e Argitës, është brenda gjakut. E dyta plus ‘besimtarëve’ ‘doktori’ ka edhe borxhlinj. Janë ata borxhlinj te Berisha. Nëse vjen dikush tjetër s’do jenë më, nëse vjen Argita do jenë aty. Sali Berisha përballë Edi Ramës, përballë kundërshtarit ka marrë fund politikisht. Ndërsa përballë kundërshtarit të brendshëm, Bashës, Berisha do jetë lider dhe miti s’do bjerë kurrë. Duke qenë në burg kthehet në martir politik dhe ai atë do. Ai shpreson se do mbjellë një lloj pakënaqësie dhe njerëzit do ngrihen. Mendimi im është se koha që kur shqiptarët vriteshin për liderët ka marrë fund dhe ky është lajm i mirë për Shqipërinë”.
Duke folur mbi veton e Athinës, Muça tha se ka një luftë mes reformës në drejtësi, për të cilën ka ndihmuar financiarisht BE, si dhe Greqisë.
Unë do t’ia vija titullin ‘Beleri fut në sherr BE-në’. Nga njëra anë kemi Greqinë që për mua ka gjetur një artific të pasinqertë, që bie ndesh me një investim të madh të BE-së në Shqipëri. E gjithë kleçka pse BE është i dyzuar dhe i përçarë sot, Gjermania nga njëra anë, dhe Greqia nga ana tjetër, është reforma në drejtësi. Sot s’ka një luftë mes Edi Ramës dhe Greqisë. Sot ka një luftë mes reformës në drejtësi që ka ndihmuar financiarisht dhe me kapital njerëzor BE dhe SHBA-të, dhe Greqisë. BE është në dilemë sot, do rrëzojë reformën që ka kontribuar që të ndërtohet. Gjykata e Lartë shprehet që Beleri s’mund të betohet sepse nuk e parashikon legjislacioni. Unë besoj që nëse ka një gjë të mirë që ka ndodhur në Shqipëri është reforma në drejtësi”.



