Xhadat: Tre vite pa Avokat të Popullit, procesi bllokohet sërish ndërsa kandidati Erald Aga i drejtohet Gjykatës Kushtetuese (VIDEO)

Xhadat: Tre vite pa Avokat të Popullit, procesi bllokohet sërish ndërsa kandidati Erald Aga i drejtohet Gjykatës Kushtetuese (VIDEO)

Prej tre vitesh, institucioni i Avokatit të Popullit funksionon pa drejtues të zgjedhur me mandat të ri. Erinda Ballanca, e cila përfundoi mandatin në vitin 2022, vijon të qëndrojë në detyrë përtej afatit ligjor, në pritje të një vendimmarrjeje nga Kuvendi.

Që prej përfundimit të mandatit të saj, Kuvendi i Shqipërisë ka hapur dy herë procedurat për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit, por të dyja herët procesi është mbyllur pa rezultat. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të Bashkimit Europian dhe institucioneve ndërkombëtare që kanë kërkuar plotësimin e menjëhershëm të kësaj vakance, palët politike nuk kanë arritur në një konsensus.

Gjatë mbylljes së legjislaturës së kaluar, debatet në Kuvend për këtë çështje u rikthyen sërish. Ndërkohë që përfaqësuesi i BE-së në Tiranë përsëriti kërkesën për zgjedhjen e një kandidati të ri, në sallën e Kuvendit u dëgjuan qëndrime të forta nga të dy krahët politikë.

Ish-kryeministri Sali Berisha kërkoi publikisht që në këtë post të emërohet Besim Ndregjoni, i cilësuar prej tij si kandidati i vetëm i propozuar nga opozita. Nga ana tjetër, mazhoranca nuk është shprehur për ndonjë emër konkret, duke e lënë procesin sërish pezull.

Ndërkohë, avokati Erald Aga, një nga kandidatët e mëparshëm për këtë post, ka reaguar ndaj mënyrës se si është trajtuar procesi i vakancave. Ai shprehet se Kuvendi ka shkelur procedurat ligjore, pasi ka hapur një vakancë të re pa mbyllur procesin e mëparshëm. Pas denoncimeve të përsëritura në institucionet kushtetuese dhe ndërkombëtare, avokati ka dorëzuar së fundmi dosjen e plotë të ankesës së tij në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shqyrtimin e ligjshmërisë së veprimeve të Kuvendit.

Çështja e Avokatit të Popullit mbetet ende e hapur, ndërsa Shqipëria është në pritje të zgjedhjes së një figure të re që do të garantojë mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe pavarësinë e institucionit nga ndikimet politike.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy