
Serbia dhe Mali i zi mund të jenë vendet potencialisht të gatshme për t’iu bashkuar BE-së deri në vitin 2025. Strategjia e re e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, është e qartë në kërkesat drejtuar vendeve të tjera të rajonit. Ajo thekson mbështetjen më të madhe për katër vendet e tjera tw rajonit që u përfshinë nga lufta dhe grindjet civile në vitet 1990.
Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia - duhet të punojnë me seriozitet në vendosjen e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, goditjen e krimit të organizuar, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe ndërmarrjen e një sërë ndryshimesh të tjera demokratike.
"Bashkimi me BE është shumë më tepër se një proces teknik. Kjo është një zgjedhje e bazuar në vlerat themelore, të cilat çdo vend duhet t’i përqafojë më aktivisht, nga politikat e tyre të jashtme dhe rajonale deri në atë që fëmijët të mësojnë në shkollë ", thotë strategjia e re, e marrë nga POLITICO përpara miratimit nga Komisioni të martën.
Strategjia synon të kthehet në një udhërrëfyes pas sinjalizimit që presidenti i Komisionit, Jean-Claude Juncker, dha në shtator për rinovimin e zgjerimit. Vitet e fundit, BE e ka ulur intensitetin e prenimit të anëtarëve të rinj pas pasojave që solli te anëtarët e vjetër rritja e emigracionit nga vendet e varfra që u bënë më vonë pjesë e bllokut.
Juncker dhe liderët e BE-së i kanë kthyer sërish sytë nga Ballkani Perëndimor, pjesërisht edhe për shkak të rritjes së ndikimit rus, turk dhe kinez në këtë rajon. Kriza e refugjatëve e vitit 2015, gjatë të cilin qindra mijëra refugjatë arritën në Europën Perëndimore nëpërmjet rrugëve të Ballkanit Perëndimor, e shtoi rëndësinë që ka rajoni për stabilitetin e BE-së.
"Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë tashmë një mundësi historike për të lidhur në mënyrë të vendosur dhe pa ekuivoke të ardhmen e tyre në Bashkimin Evropian. Ata do të duhet të veprojnë me vendosmëri ", thuhet në strategjinë, që do të bëhet publike nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe Johannes Hahn, komisioneri për zgjerimin.
Si pjesë e nxitjes së re, Juncker do të zhvillojë një vizitë 1-javore në vendet e Ballkanit Perëndimor në fund të këtij muaji, duke filluar ngaShkupi më 25 shkurt. / Politico.eu /



