Richard Grenell do të vazhdojë të mbetet i dërguari i posaçëm amerikan për dialogun Kosovë-Serbi. Pikëpyetjet u ngritën pas raportimeve se Grenell pritet të tërhiqet nga detyra e ambasadorit amerikan në Berlin, ndërkohë që pak ditë më parë, ai la postin e drejtorit të komanduar të Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës, për t’u zëvendësuar nga John Ratcliff, i cili u konfirmua nga Senati amerikan.
Megjithatë, pavarësisht se nuk do të mbajë më këto dy detyra, duket se Grenell do t’i përkushtohet dialogut Kosovë-Serbi. Në një përgjigje për radion “Evropa e Lirë”, zëdhënësi i tij, Dick Custin, thotë se “ambasadori Grenell mezi pret që të nisin diskutimet e radhës në kuadër të dialogut, sapo të vendoset përbërja e re e qeverisë”.
Grenell shihet si njeriu që ndërmjetësoi marrëveshjen për vendosjen e linjës direkte ajrore Prishtinë – Beograd, si dhe për hapjen e linjave hekurudhore dhe të autostradave, që do t'i lidhnin jo vetëm këto dy vende, por edhe rajonin me BE-në.
I besuari i presidentit Trump pritet të jetë ndërmjetësi i dialogut Prishtinë-Beograd, një proces në ngërç që prej nëntorit të vitit 2018, kur qeveria “Haradinaj” vendosi taksën 100% mbi mallrat serbe dhe ato boshnjake.
Ky vendim e ngriu dialogun për më shumë se një vit, deri në prill të këtij viti kur qeveria e Albin Kurtit e zëvendësoi taksën me reciprocitet.
Vendimi i qeverisë së re të Kosovës u mirëprit nga institucionet evropiane dhe nga vendet anëtare të BE, por nuk kënaqi SHBA-të dhe vetë ambasadorin Grenell.



