Projekti “100 fshatrat turistik” është projekt i qeverisë, i ndërmarrë nga Ministria e Bujqësisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Turizmit dhe Infrastrukturës, i cili do të zbatohej në periudhën 2018-2020. Ky projekt synonte të ndërhynte me investime në 100 fshtara, në tre drejtime: përmirësimin e infrastrukturës publike, zhvillimin ekonomik nëpërmjet diversifikimit të aktiviteteve ekonomike dhe zhvillimin e kapitalit social dhe njerëzor.
Projekti është prezantuar me shumë emocion edhe nga vetë kryeministri Edi Rama.
20 Korrik 2018
“Patjetër që përmirësimi i infrastrukturës është një aspekt themelor i programit. Aspekt tjetër i rëndësishëm është ndërlidhja e potencialeve turistike me nxjerrjen në pah dhe vlerësimin e trashëgimisë kulturore, historike dhe të bukurive natyrore duke i bërë ato të aksesueshme për turistët. Kemi të përfshirë në program 3 Ministri të tjera, Fondin Shqiptar të Zhvillimit, Agjencinë Kombëtare të Planifikimit te Territorit. Kemi vënë në dispozicion një shumë të konsiderueshmë për buxhetin e shtetit, që do të jetë mbështetje e drejtëpërdrejtë për ato që investojnë në agroturizëm dhe nuk bëhet fjalë për kredi, por bëhet fjalë për para që jepen për projektin pa asnjë interes nga Qeveria”.
25 shtator 2018, Rama në Nivicë
100 fshatrat janë konceptuar si 100 pika graviteti për një zhvillim të qëndrueshëm dhe një zhvillim ndryshe të hapësirës rurale në Shqipëri. Ne jemi të bindur që do të krijojmë një pikë të fortë referimi për zhvillimin rural. Eshtë ngritur dhe funknsionon Akademia e 100 fshatrave, që ka mobilizuar grupe në terren”.
8 mars 2019, Rama në Libofshë
“Programi Kombëtar i 100 fshatrave, synon krijimin e modeleve që ne kemi shumë besim se, pasi të marrin formë në këto 100 fshatra do të shpërndahen me shpejtësi edhe rreth tyre, edhe në të gjithë hapësirën, duke dhënë shembujt e nevojshëm se si mund të transformohet një potencial i fjetur në një burim rritjeje të ekonomisë familjare. Modeli i 100 fshatrave është një model zhvillimi ekonomik dhe social dhe ndërhyrjet që do të bëjmë në funksion të zhvillimit të këtij modeli, synojnë jo thjesht transformimin e infrastrukturës apo investimet në rrugë, siç është bërë vijimësisht zakon dhe siç është edhe nevoja për hir të së vërtetës, por nxitjen e iniciativës për të kaluar në një fazë të re të zhvillimit”.
Po të bësh një vëzhgim në terren vihet re se në disa zona rurale është investuar në mënyrë preferenciale, kurse ca fshatra nuk kanë njohur asnjë investim, pavarësisht pritshmërive të mëdha të banorëve. Pjesë e listës së 100 fshatrave është edhe Dhërmiu, fshat i Bashkisë së Himarës. Ky fshat është shëmbulli se si një program mund të ndryshojë rrënjësisht një vend. Nga 100 fshatrat e përzgjedhur për t’u kthyer jo vetëm në destinacione turistike, por edhe për të ruajtur trashëgiminë, mund të themi se Dhërmiu, është fshati i vetëm i cili ka përfituar në një masë të tillë nga programi i nisur me aq bujë.
Nga ana tjetër një fshat, që nuk ka njohur asnjë investim edhe pse është pjesë e listës së 100 fshatrave është Vilë Bashtova , zonë e bashkisë së Rrogozhinës.
“Investime s’kemi parë, vetëm tabelat e bukura nga Ministria. Nga këto aktivitetet në tabelë, nuk gjëndet asgjë këtu. Rruga deri në njëfarë vendi është mirë, por nga zona e plazhit, që është më e vizituara nga turistët dhe banorët e zonës është skandal, me baltë, me gropa, mbeturina”-thanë banorët e zonës .
Vëzhgimin e radhës emisioni “Xhadat” e bëri në fshatin Shesh të Njësisë Administrative Ndroq. Në hyrje të fshatit përballesh me një tabelë, e cila percakton se në Shesh mund të gjesh shumë atraksione turistike, por po të hedhësh sytë rrotull në terren sheh vetëm baltë dhe plehra.
“Këtu nuk është investuar fare. Edhe atë pak rrrugë që shtruan, e bën për fushatë, para votimeve. Pa sistemim kanalesh, pa ujësjellës, pa ndricim. Bëmë protesë për të na sjellë asfalt, s’kemi fonde thanë. 30 vite pa u prek gjë me dorë këtu, vetëm shkaterrim. Kjo rrugë në letër është shtruar nja 4 herë asfalt. Janë aty në tabelë të përshkruara, po ku janë realisht?”- shtuan banorët.
“Xhadat” u drejtua edhe tek Njësia Administrative Ndroq, për të pyetur se në cfarë faze është projekti.
Kryetari i Njësisë Administrative Ndroq, Xhavit Ceka, u shpreh: “Investimet në fshatin Shesh nuk kanë filluar akoma në projektin e 100 fshatrave. Deri tani s’kam asnjë informacion, se është projekt qeveritar. Priten investimet, kaq kam dijeni”.
Ndërsa Përgjegjësi i Zyrës Urbanistike, Ndroq shtoi: “Deri tani është bërë ndërtimi i rrugës deri në fshatin Kanaç, 2 km. Janë vënë edhe tabela informuese. Duke qenë edhe terren shumë i vështirë për pjesën e infrastrukturës, është akoma në projektim pjesa e ujësjellës-kanalizime. Deri tani nuk është investuar akoma dhe nuk e kam informacionin se kur mund të realizohet. Përveçse pjesës së rrugës deri tani nuk është bërë asgjë tjetër për fshatin Shesh”.
Eminasi i Vogël, i Bashkisë Shijak, ishte gjithashtu pjesë e listës “100 fshatrat”, por as këtu nuk ka funksionuar ky projekt zhvillimi.
“S’ka pra investime. Vetëm dritat po sjellin tani, në krye të 40 viteve. Tabelat janë në formalitet, por s’ka gjë tjetër. Si mund të vi vizitori këtu kur s’ka rrugë. Rruga, gjëja më elementare nuk është bërë, jo më të tjerat”- u shprehën banorët.
Pas këtyre përgjigjeve “Xhadat” u drejtua tek Bashkia Shijak, nga ku Kryetari, Elton Arbana informoi se:
“Në këto momente po bëhen investime në Eminasin e vogël. Pas investimit të energjisë elektrike do të vazhdojnë investime të tjera, si infrastruktura dhe pjesa e kanalizimeve. Në 2019 ne patëm një termet shumë të fuqishëm, pastaj pandemia dhe prandaj nuk është shtrirë në kohë zbatimi i këtij projekti, por ka filluar hapi i parë që është insfrastrukrura elektrike dhe pastaj do vazhdojë kanalizimi dhe rruga. Ky është një projekt që nuk po bëhet nga Bashkia e Shijakut, por nga Ministria e Bujqësisë dhe ne nuk kemi njësi prokurimi, zbatimi dhe supervizimi dhe për aq kohë sa nuk jemi njësi prokurimi nuk e dimë sa është vlera e projektit sepse nuk është tenderuar nga ne. Projekti do të përfundonte në 2020, por nga pandemia dhe termeti u shty në kohë”.



