
Rusia ka akuzuar Poloninë se po përpiqet të shkatërrojë marrëdhëniet dypalëshe duke dëbuar 45 diplomatë të saj dhe tha se do të përgjigjet ashpër. Ambasadori rus në Varshavë Sergej Andreev tha se Polonia kishte bllokuar gjithashtu llogaritë bankare të ambasadës.
"Dëbimet ishin një hap i vetëdijshëm drejt shkatërrimit përfundimtar të marrëdhënieve dypalëshe, prishjen e të cilave 'partnerët' tanë polakë e kanë kryer sistematikisht për një kohë të gjatë. Rusia nuk do ta lërë këtë sulm armiqësor pa një përgjigje", tha Ministria e Jashme Ruse.
Marrëdhëniet midis Rusisë dhe vendeve të Evropës Qendrore që dikur ishin pjesë e sferës së saj të ndikimit kanë qenë prej kohësh të tensionuara, por konflikti i Ukrainës ka rritur ndjeshëm frikën dhe dyshimin për qëllimet e Moskës.
Rusia të mërkurën dënoi atë që e quajti një propozim të pamatur nga Polonia, anëtare e NATO-s, që paqeruajtësit ndërkombëtarë të armatosur duhet të dërgohen në Ukrainë.
Andreev tha se llogaritë bankare të ambasadës ishin bllokuar mbi bazën se ato mund të përdoren për pastrim parash ose financim terrorizmi.



