Ermir Gjinishi, pedagog Instituti i Studimeve Evropiane (ISE), foli në emisionin “Scrolling” mbi vdekjen e Presidentit dhe ministrit të Jashtëm të Iranit, ku sipas tij janë të hapura të dy variantet, aksidenti, apo vrasja.
Mes argumenteve që mbështesin tezën e vrasjes, Gjinishi rreshtoi faktin që në total ishin 3 helikopterë, ku dy vijuan normalisht fluturimin.
Po ashtu ai vuri në dukje aktivitetin e Mossad-it në Azerbajxhan. Sipas Gjinishit ditën që do mbahen zgjedhjet në Iran, do të nisin protestat dhe do të ketë destabilitet nga faktorët e brendshëm.
"Të dyja variantet të hapura janë. Është vrasje në kuptimin e aksidentit, moti, helikopteri i vitit 70 ka pasur probleme me remontin etj. etj. Por ka një pikëpyetje, ishin tre helikopterë, përse ky?! Vet Irani me deklarimet e para ngre shumë pikëpyetje. Sepse tha që helikopteri u rrëzua. Versioni zyrtar ishte bëri ulje të detyrueshme, ndërkohë që s’ishte ulje e detyrueshme. Ndërkohë që tha që patëm kontakte telefonike me pilotin, ndërsa trupat e tyre ishin bërë copash. Të gjithë ata që mendojnë se mund të jetë vrasje, kanë pafundësisht edhe ato argumente, përtej anomalive si mund të ngrihet piloti në një kohë të keqe. Si e lejoi Azerbajxhani?! Pse mund të jetë vrasje? Faktori i brendshëm dhe i jashtëm. Ai ishte i projektuar që do ishte pasardhësi, ndërkohë që në Iran ka një komision përzgjedhës i kandidaturave që e kishte skualifikuar Raisin. Një nga aleatët më të fortë të Raisit, ishte ministri i Jashtëm, që ishte me Raisin aty. Pjesa e dytë, djali i Khamenei-t e sheh veten si kandidat të mundshëm. E treta, vendi ku ndodhi, duke ardhur nga Azerbajxhani. Azerbajxhani është një vatër ku shërbimi izraelit ka aktivitet të jashtëzakonshëm. Mossadi ka treguar që edhe në raste të tjera ka bërë vrasje të personaliteteve të tjera në Iran, duke shfrytëzuar hapësirën e Azerbajxhanit. 40 shkencëtarë iranianë janë vrarë nga Mossadi për të ngadalësuar aktivitetin bërthamor të Iranit. Nga analistët në Lindjen e Mesme mbi 50 për qind mbështesin tezën e vrasjes. Do zgjidhet një President i ri, dhe do ketë përplasje mes konservatorëve dhe reformistëve. Ditën që do bëhen zgjedhjet për President do fillojnë protestat në Iran. Shoqëria iraniane ka një çarje të madhe. Reformatorët në Iran s’janë parti, janë frymë. Do kemi destabilitet në Iran nga faktorët e brendshëm”.



