
Arratisja e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe njerëzit e ndihmuan janë mister i madh për autoritetet në Maqedoni. Së fundmi, mediat lokale raportojnë se prokuroria po heton mbi përgjimet telefonike dhe pamjet e filmuara në zonat ku Gruevski mendohet se ka kaluar, përfshirë dhe pikat kufitare.
Në Shkup vijojnë hetimet për arratisjen e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, i cili ndodhet në Hungari ku ka fituar të drejtën për azil politik. Sipas mediave lokale, objekt i hetimit tashmë janë përgjimi i bisedave dhe pamjet filmike në zonat ku gruevski mendohet se ka kaluar, përfshirë dhe pikat kufitare.
“Janë dhënë disa urdhra për mbledhjen e dokumentacionit, janë siguruar edhe të ashtuquajturat “Save sity” incizime, incizime nga video-kamerat e pikave kufitare, por edhe një sërë njoftimesh nga institucionet-thuhet në njoftimin e prokurorisë në Shkup, e cila konfirmon se ka kërkuar dhe ndihmë juridike ndërkombëtare. Për momentin janë duke u shqyrtuar video-incizimet e kamerave të sigurisë. Edhe Ministria e Punëve të Brendshme thonë se opinioni do të informohet në mënyrë përkatëse për rezultatet e hetimit, i cili pritet të zbardhë rrugëtimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruveski dhe personat që e kanë ndihmuar të largohet nga Maqedonia në drejtim të Hungarisë. Vetë kryeministri Zoran Zave tha pak ditë më parë, se për të nuk ishte e rëndësishme fakti që kaloi nga Maqedonia në Shqipëri, më pas Serbi. Por sipas tij çështja ndërlikohet në faktin se si ai ka kaluar nga Serbia në Hungari e cila është anëtare në Bashkimin Europian, pa patur pasaportë.



