Policia greke ka arrestuar katër shtetas shqiptarë që akuzohen për një grabitje me armë, në rrugën Kakavijë – Janinë.
Të arrestuarit me moshë nga 19 deri 27 vjeç, mësynë në një pikë karburanti pranë vendit të quajtur çesma e Pashait, në afërsi të Kallpakit.
Tre prej tyre i kishin fytyrat të maskuara, nën kërcënimin e një arme kallashnikov, ata morën 1.100 euro që ndodheshin në arkën e karburantit, si dhe tre telefona celularë dhe u larguan me këmbë.
Menjëherë u vunë në lëvizje forca të shumta të policisë dhe pas disa orësh ata të katër u gjetën të fshehur në një zonë pyjore, jo shumë larg vendngjarjes.
Policia sekuestroi kallashnikovin me krehrin që kishte 25 fishekë, shumën e vjedhur të eurove dhe celularët, si dhe 18.500 lekë.



