
Reshjet e dëborës kanë përfshirë sërish juglindjen e vendit, duke sjellë probleme në disa zona të qarkut të Korçës.
Sipas raportimit për “MCN Live” nga korrespondentja Elsa Xhindole, në disa akse rrugore trashësia e borës ka arritur nivele të konsiderueshme, ndërsa janë shënuar edhe probleme me furnizimin me energji elektrike.
Në qytetin e Korçës nuk ka pasur grumbullim dëbore, por situata paraqitet më e vështirë në zonat malore dhe në akset rurale. Segmentet Boboshticë–Dardhë dhe Lapidari Podgorie–Podgorie–Liqenas janë përfshirë nga reshje dëbore të shoqëruara me erë të fortë. Në Dardhë, trashësia e borës arrin në disa zona mbi 50 centimetra.
Autoritetet po punojnë për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë. Aktualisht janë në terren 5 mjete borëpastruese.
Prefektura e Korçës bën me dije se janë evidentuar probleme me furnizimin me energji elektrike në disa zona, ndërkohë që vështirësi janë raportuar edhe në qarkullimin rrugor.
Gjatë natës ka pasur reshje bore edhe në akset Korçë–Ersekë dhe Zëmblak–Goricë–Bilisht–Miras, ku rekomandohet qarkullimi vetëm me goma dimërore.
Sa i përket doganës së Qafë Thanës, qarkullimi i kamionëve është ndaluar përkohësisht, pasi po punohet me borëpastruese në segmentin hyrës drejt Maqedonisë së Veriut. Kjo ndërhyrje pritet të zgjasë vetëm disa orë dhe pas përfundimit të punimeve qarkullimi për mjetet e tonazhit të rëndë do të rifillojë normalisht.
Sipas të dhënave paraprake, rreth 740 abonentë në qarkun e Korçës kanë mbetur pa energji elektrike.



