Guvernatori i një zonë në lindje të Rusisë u arrestua me dyshimin se ka urdhëruar vrasjen e disa biznesmenëve 15 vjet më parë. Arrestimi i guvernatorit të Khabarovskit, Sergei Furgal, erdhi pasi Presidenti Vladimir Putin, në pushtet për dy dekada, finalizoi ndryshimet kushtetuese që i lejojnë atij të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2036.
Furgal dyshohet të jetë "organizatori i vrasjeve dhe tentativave për vrasjen e disa sipërmarrësve" në 2004 dhe 2005, tha Komiteti Hetues, i cili heton krimet e mëdha.
Furgali përfaqësonte partinë nacionaliste të LDPR-së dhe arrestimi i tij ngjalli një reagim të furishëm nga lideri i saj.
Udhëheqësi i LDPR-së, Vladimir Zhirinovsky, tha që deputetët e partisë mund të japin dorëheqjen masivisht në shenjë proteste.
"Le ta marrë vesh e gjithë bota çfarë ndodh në këtë vend", tha ai.
"Ju keni filluar të përdorni metodat e epokës së Stalinit", tha ai duke iu referuar partisë në pushtet. "Nëse dalim në rrugë, Garda Ruse nuk do t'ju shpëtojë dhe ushtria do të jetë në anën tonë."
Ai tha se kandidimi i Furgal ishte verifikuar para zgjedhjeve.
Furgal u zgjodh guvernator rajonal i Khabarovsk në 2018.
Ai siguroi 70 për qind të votave përballë rivalit të Rusisë së Bashkuar, një rezultat që vuri në siklet partinë e Putinit.
Furgal, i cili ka afro 240 000 ndjekës në Instagram, ka qenë deputet i Dumës në vitet 2007-1018.
Më shumë se 30 000 njerëz nënshkruan një peticion në mbështetje të tij pas arrestimit të tij.
"Është e qartë se rajoni i Khabarovsk po e çmend Moskën sepse nuk e mbështesim Rusinë e Bashkuar!", është shprehur, Yekaterina Vognerubova, mbështetëse e tij.
Një parti që thotë se është opozitare, LDPR-ja zakonisht i ka mbështetur iniciativat e Kremlinit.
Ndër deputetët e saj është Andrei Lugovoy, i dyshuari kryesor në Britani për helmimin me polonium ndaj ish-agjentit të sigurisë, Alexander Litvinenko.
Arrestimi i Furgal vjen përpara zgjedhjeve rajonale në shtator dhe disa analistë sugjerojnë se ishte një paralajmërim për forcat e opozitës.
Gjykata e rrethit Basmanny në Moskë mund të shqyrtojë një kërkesë për të aprovuar arrestimin e tij të premten, tha një zëdhënëse e gjykatës për AFP.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov nuk pranoi të komentojë mbi punën e Furgalit si guvernator i rajonit, i cili kufizohet me Kinën.
Sipas biografisë së tij zyrtare, Furgal, ish-mjek, ka qenë biznesmen që nga viti 1999 deri në marrjen e detyrës si ligjvënës lokal në 2005.



