Mafia në Itali nuk njeh mosh, pasi mbrëmjen e sotme ëndrra e një të riu për të vijuar karrierën si futbollist u shua nga dora vrastare e ushtarëve të klaneve mafioze në Napoli.
Ish-lojtari i të rinjve të Napolit, Renato Di Giovani është ekzekutuar mbrëmjen e sotme me armë zjarri në një atentat të frikshëm në periferi të qytetit.
21-vjecari u qëllua disa herë me armë zjarri dhe për pasojë humbi jetën në vend përballë kishës Santa Maria di Montevergine, në Soçavo.
Sipas raportimeve të mediave në shtetin fqinj, autorët e dyshuar udhëtonin me një motor skuter, kur i kanë dalë para dhe e kanë ekzekutuar me disa plumba.
Ende nuk dihen motivet e ekzekutimit, por paraprakisht dyshohet se ngjarja ka lidhje me Kamorrën, pasi dyshohet se ish futbollisti ishte i përfshirë në trafikun e drogës, ndërsa kishte lidhje me ultrasin Alberto Mattera.
Renato Di Giovani u shfaq për herë të parë tek Napoli në Ligën e të Rinjve të UEFA-s kundër Arsenal.



