
Tri ditë më parë, në mediat italiane ishte ndër titujt kryesorë lajmi për vendosjen e emrin të Al Bano Carrisi-t në listën e personave të padëshiruar në Ukrainë. Me motivimin se ai përbën “kërcënim për sigurinë kombëtare”, Ministria ukrainase e Kulturës e ka rreshtuar emrin e këngëtarit të njohur italian në listën e saj të zezë.
Por kush janë të tjerët?
Në vitin 2018, të njëjtin “fat” ka pasur edhe aktori Michele Placido. Ylli i kinemasë italiane, që në Shqipëri njihet veçanërisht për rolin e Komisar Katanit në serialin e famshëm të viteve ’90, “Oktapodi”, në listën e vitit të kaluar renditet i 103-ti.
“Putin është numri 1 në Europë për politikë të jashtme” dhe Rusia ortodokse “ndryshe nga Perëndimi i dobët është një mur kundër islamit”, të cilit në këtë moment “i duhen treguar muskujt”. Kështu deklaronte Placido në Moskë, në vitin 2015, në një event me tematikë Dante Aligierin.
“Mund t’i kuptoj kundërthëniet në planin e brendshëm, kritikat sidomos të opozitës, pasi metodat nuk kanë qenë aq demokratike sa duhet, por në politikën e jashtme, ai është numri një dhe më i mirë se Merkel dhe francezët”, u ka thënë në atë kohë mediave italiane.
Në listën e artistëve që u është mohuar hyrja në Ukrainë, prej kohësh janë edhe aktori francez Gerard Depardieu dhe ai amerikan, Steven Seagal, të njohur të dy për miqësinë me Putinin dhe si qytetarë nderi në Rusi.
E padëshiruar është edhe Yuliya Samoilova, këngëtarja ruse në karrige me rrota, ish-kandidate e Moskës për Eurovision 2017, një edicion që u mbajt në Ukrainë. Rasti i saj hapi një debat të madh mes dy vendeve.
Po ashtu, hyrja i ndalohet edhe këngëtarit të njohur si “Frank Sinatra sovjetik”, Yosip Kobzon, tashmë 77 vjeç dhe deputet i Dumës ruse. Të njëjtin “fat” ka pasur edhe kolegu i tij serb, Goran Bregoviç.
Shumë prej artistëve që konsiderohen si kërcënim për sigurinë kombëtare në Ukrainë kanë perfomuar në Krime ose kanë mbështetur aneksimin e saj nga Rusia.



