Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, thotë se nuk është optimist për naftën e zbuluar në Shpirag. Soko tha se duhet pritur vendimi i koncesionarit në lidhje me ecurinë e mëtejshme, ndërkohë që mbeten edhe dy puse të tjera për t’u shpuar.
Që ka pasur naftë në Shpirag e kemi ditur që në vitet ’70. Nafta që aty ka dalë nga viti 2013. Atëherë u njoftua se ishte nxjerrë naftë nga pusi Shpirag 2. Që nga 2013 e këtej, Shell është në fazën e kontratës që quhet periudhë vlerësimi. Shell që prej vitit 2013 e këtej ka qenë në këtë periudhë.
Në Shpirag nuk është Shell i pari që po e studion. Ka qenë edhe Oxy, por iku. Nuk jam optimist, por as pesimist. Shelli mund të mendojë mua “a më leverdis ta nxjerr këtë naftë me këtë kosto”. Oxy-t nuk i leverdiste. Janë edhe dy puse që duhet të shpohen.
Sipas tij, ideja e kryeministrit Rama për krijimin e një fondi sovran përmes së cilit pritet të administrohen taksat që do mblidhen çdo vit nga nxjerrja e naftës në Shpirag, është e pazbatueshme në Shqipëri.
Fondi sovran ka handikap. Fondet sovrane ndërtohen në ato vende ku shteti e menaxhon pasurinë publike. Ne nga nafta që do të nxirret aty do të marrim taksat: praktikisht renta minerare dhe tatim-fitimi. Në Norvegji nuk janë koncesionuar burimet e naftës. Por te ne fitimin e merr koncesionari. Ne do të marrim tatim-fitimin. Taksa shkon në buxhet të shtetit.
Soko tha se në Shqipëri ka mungesë inxhinierësh nafte dhe kjo ka krijuar presion që pagat e inxhinierëve të naftës të jenë relativisht të larta.



