
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka udhëtuar sot drejt Krujës, për të vizituar nga afër pacientët e shtruar në spital, për shkak të helmimit. Nga dita e diel deri sot në spital kanë përfunduar rreth 370 persona, me shenja të helmimit, ndërsa dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm.
Duke marrë shkas nga kjo situatë e krijuar, Manastirliu ka shkuar në spitalin e Krujës ku do të informohet edhe më mirë mbi ngjarjen.
Ministrja u shpreh se të gjitha strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë janë në gatishmëri dhe po kryejnë hetimet në të gjitha pistat e mundshme. Manastirliu njoftoi marrjen e mostrave dhe analizat laboratorike do të dalin për 24 deri në 72 orë.
Rreth 370 qytetarë kanë marrë shërbim. Situata është e qetë pa komplikacione. Qytetarët kanë marrë shërbimin e nevojshëm. Sot janë paraqitur rreth 60 qytetarë. Kanë marrë shërbim dhe janë nisur për në shtëpi pasi situata shëndetësore nuk ka qenë e rënduar, janë edhe disa pacientë të tjerë që janë duke marrë shërbim. Janë rreth 30 qytetarë, janë edhe adoleshentë fëmijë dhe të rritur. Janë marrë mostrat e ujit dhe ushqimeve, hetimi po bëhet në të gjitha aspektet. Rezultati i analizave mikrobiologjike ka një afat të caktuar, kur të kemi rezultatet do kemi një raport të detajuar. I gjithë sistemi shëndetësor është në gatishmëri të plotë. Hetimi bëhet në shumë pista që të kemi të kontrolluar të gjithë aspektin e kujdesit shëndetësor.



