
Athina do të kryejë patrullime më të rrepta në kufi, ndërsa ka bërë të ditura planet për të lëvizur azilkërkuesit nga ishujt e saj në territorin e kontinentit dhe do të shpejtojë dëbimet në përpjekje për t'i dhënë zgjidhje situatës së krijuar me një fluks të ri migrantësh nga Turqia.
Këshilli i Greqisë për Punë të Jashtme dhe Mbrojtje u mblodh të shtunën në një seancë emergjente pasi disa anije që transportonin rreth 600 emigrantë zbarkuan në brigjet e ishullit grek Lesbos të enjten.
Ky ishte zbarkimi më i madh i migrantëve - kryesisht familjeve afgane - në një ditë të vetme në Lesvos që nga viti 2016.
Të shtunën, qeveria greke tha se masat përfshijnë forcimin e kontrolleve kufitare me agjencinë e patrullave kufitare të Bashkimit Evropian Frontex dhe NATO, lëvizjen e azilkërkuesve në territorin e vendit dhe identifikimin e azilkërkuesve të refuzuar që mund të kenë mbetur në vend.
Greqia gjithashtu synon të shkurtojë procesin e gjatë të azilit, i cili mund të zgjasë disa muaj, dhe ta bëjë më të lehtë për dëbimin e aplikantëve në Turqi ose në vendin e tyre të origjinës.
"Procesi i azilit në vendin tonë ishte më i zgjaturi në kohë dhe më i paefektshmi në Evropë", tha për televizionin shtetëror zv.ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve, përgjegjës për politikën e migracionit, Giorgos Koumoutsakos.
Duke iu përgjigjur kritikëve nga opozita se masa në fjalë është e padrejtë dhe e paligjshme, ai tha: "Procedurat e azilit duhet të ecin shpejt, në mënyrë që ata të cilët kanë të drejtë për mbrojtje ndërkombëtare të shfajësohen ... dhe që ne të dimë se kush nuk duhet të qëndrojë në Greqi".
Greqia ka qenë një ndër pikat kryesore të hyrjes në Bashkimin Evropian për migrantët dhe azilkërkuesit nga vende si Siria.
Sidoqoftë, që nga marrëveshja e vitit 2016 midis BE-së dhe Turqisë, numri i migrantëve që mbërrijnë në brigjet e Greqisë është ulur me shpejtësi.
Mbyllja e kufijve përtej Ballkanit ka bërë që migrantët të bllokohen në Greqi, duke shkaktuar mbingarkesë në kampe migrantësh.
Greqia është akuzuar shpesh nga organizatat humanitare për kushtet e jetesës në kampe, të cilat në disa raste strehojnë dyfishin e kapacitetit të tyre.



