
26 nëntorin e vitit 2019, kur ora shënonte 03:54, një tërmet me magnitudë 6.4 e shkallës Rihter, shkundi Shqipërinë qendrore-perëndimore, në një ngjarje që do të rrënjosej thellë në kujtesën kolektive të shqiptarëve.
Tirana, Durrësi, Lezha, Laçi, Kurbini e mbi të gjitha Thumana, do të vuanin goditjen fizike dhe psikologjike, të një tërmeti që prej dekadash nuk shihej në Shqipëri.
Në bilancin përfundimtar, ishin 51 jetë të humbura, kurse të plagosur, rreth tre mijë të tjerë.
Sot, dy vite pas, përmes një statusi në rrjete sociale, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përkujtuar dy-vjetorin e tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit të vitit 2019, duke deklaruar se “sot jemi ngritur më të fortë e po ashtu mund të marrim frymë të lehtësuar”.
“Tragjeditë sprovojnë njerëzit”, shkruan Rama, “popujt, shtetet dhe dy vjet nga fatkeqësia marramendëse e tërmetit, duke kujtuar humbjet, plagët, dhimbjet e duke parë çka mundëm të bëjmë deri këtu”.
Rama ka kujtuar me dhimbje familjet që humbën njerëz të dashur. Numri një i qeverisë shqiptare shprehet ndër të tjera se mbetet mirënjohës pa fund për të gjithë ata që dhanë ndihmën e parë.
“Kujtoj me dhimbje familjet që humbën njerëz të dashur dhe mbetem mirënjohës pa fund për të gjithë ata që dhanë ndihmën e parë, që u solidarizuan nga të katër anët e vendit dhe të botës me të goditurit nga fatkeqësia, që punuan e punojnë pa pushim për të kthyer deri familjen e fundit në shtëpi më të mirë, më të fortë, më të bukur”, shkruan Rama.



