
Ish-presidenti amerikan, Xhorxh H. Bush, 93 vjeç, është shtruar me urgjencë në spital. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i familjes Bush vetëm një ditë pas varrimit të bashkëshortes së tij.
“Presidenti Bush është shtruar në Houston Methodist Hospital dje (të dielën) pasi ka marrë një infeksion që i është shpërndarë në gjak. Ai po reagon mirë ndaj trajtimit mjekësor dhe duket se po e merr veten”, ka bërë të ditur zëdhënësi.
Megjithatë, burime të tjera pranë familjes u kanë thënë mediave amerikane ai është shtruar në gjendje kritike për jetën. Gjendja e tij është stabilizuar, por mosha e avancuar dhe kushtet shëndetësore e bëjnë të komplikuar tablonë e përgjithshme klinike.



