
Kandidatja e PDIU, Mesila Doda është rikthyer pas në kohë përmes emisionit “Arnautistan” në MCN TV, nga ku ka rikujtuar vitet e para të qeverisjes së PD në fillimet e demokracisë.
Doda tha se një nga gabimet e qeverisë së asaj kohe ka qenë mos dalja e partisë së punës jashtë ligjit. Sipas kandidates së PDIU do të duhej të ishte ndërprerë aty ajo fije kriminale që e lidhte të kaluarën me të sotmen dhe të ishte bërë një e majtë moderne, e re që do të ishte shume më e shëndetshme.
“Partia Socialiste ka një fill me të shkuarën që nuk shkëputet dot. Ata kanë mentalitetin e njishit, kanë mentalitetin e unit, kanë mentalitetin e shtypjes dhe kanë edhe një problem tjetër sa herë e djathta merr pushtetin atyre iu duket një gjë e padrejtë sepse pushtetin ata e mendojë sikur u përket. Sa herë e merr e djathta duket sikur është padrejtësi e madhe. Besoj që një nga gabimet tona në vitet e para të qeverisjes në fillim të viteve ‘90-të ka qenë mos dalja e partisë së punës jashtë ligjit. Do të duhej të ishte ndërprerë aty ajo fije kriminale që e lidhte të kaluarën me të sotmen dhe të ishte bërë një e majtë moderne, e re që do të ishte shume më e shëndetshme dhe një hap shumë kurajoz”, tha Doda.



