Analisti Genc Burimi tha në MCN Live se Vlora është simbolike për Ramën, është baza e tij më e sigurt, ku ka investime madhore, mes të cilave aeroporti dhe investimi i dhëndrit të Trump-it. Megjithatë sipas Burimit ishte shokues shkarkimi i drejtorëve bashkiakë, ku tashmë s’ka më limite mes shtetit dhe partisë, apo mes Tiranës e rretheve, dhe gjithçka është në dorën e një personi.
“Vlora është djepi i ramizmit, në Vlorë ka qenë kandidat për deputet, është baza e tij më e sigurt, ka investime madhore, Lungomare, aeroporti, që do lidhi Trump-in dhëndër dhe vajzë me Sazanin. Vlora është simbolike për Ramën, prandaj s’habitem pse në Vlorë insiston.
Më 9 korrik do takohet me gjithë kryetarët e bashkive. Në parim s’është skandaloze që pushteti qendror të bashkëveprojë veprimet me pushtetin vendor, por ajo që është shokuese, është heqja e drejtorëve bashkiake, me ç’të drejtë. S’e ka ai në dorë, është Këshilli Bashkiak, që është një mini Parlament, ke anëtarë të opozitës që s’mund të anashkalohen.
Rama s’mund të shkojë këmbëkryq dhe të vendosë çfarë dëshiron ai. Nga ana pedagogjike është shumë e dëmshme kjo që bën Rama, që shkrin këto lloj kufijsh. S’ka më limite mes shtetit dhe partisë, mes Tiranës dhe rretheve, gjithçka është në dorën e një personi”.
Mund ta ketë nga një lloj paniku, ujë s’ka, turistët vijnë. Ka shumë kritika për gjëra madhore, uji, plehrat, dhe ky mund të jetë një shqetësim real te Rama, por mënyra si e bën nga ana formale, është e gabuar, pasi sfidon jo vetëm kryebashkiakun, por edhe anëtarët e Këshillit Bashkiak. Nuk e di pse duhet të ishte ministri i Mbrojtjes aty?! Janë shkrirë kufijtë mes institucioneve”.
Burimi tha se Rama ka dy prioritete, “që në fund të dhjetorit kë do vërë në krye të SPAK-ut, është një sfidë përpara, dhe sfida e dytë që është më afatmesme integrimi europian, ku do ta ketë shumë të vështirë të avancojë nëse nuk zbut gjuhën me opozitën”.



