
Presidenti Bajram Begaj dekretoi ditën e sotme ligjin “Për dhënie amnistie”, i cili u miratua nga Kuvendi më 18 qershor 2026.
Pas dekretimit, ligji duhet të botohet në Fletoren Zyrtare dhe, nëse vetë ligji nuk parashikon ndryshe, hyn në fuqi 15 ditë pas botimit.
Amnistia Penale e miratuar nga Kuvendi pritet të sjellë lirimin e menjëhershëm të 466 personave të dënuar, ndërsa 869 të tjerëve do t'u reduktohet masa e dënimit.
Ndryshe nga drafti fillestar, përfitues do të jenë edhe personat me vendime të formës së prerë deri më 31 maj 2026.
Nga kjo skemë përfitojnë të dënuarit për vepra penale me rrezikshmëri më të ulët, gratë, të miturit dhe të moshuarit, ndërsa përjashtohen autorët e krimeve të rënda, veprave të korrupsionit, trafikut të drogës dhe çështjeve të hetuara nga SPAK.
Amnistia synon persona me rrezikshmëri të ulët shoqërore, në funksion të rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre.
Ligji nuk zbatohet për personat e dënuar ose të proceduar për vepra penale të rënda, ndër të cilat korrupsioni; krimi i organizuar; terrorizmi; trafikimi i qenieve njerëzore dhe forma të tjera të trafikimit; pastrimi i produkteve të veprës penale; krimet seksuale; çështjet që janë në juridiksionin e SPAK dhe GJKKO.



